Aktualitet Çfarë ka ndodhur me Ervis Martinaj? 10 ditë mister dhe të dhënat...

Çfarë ka ndodhur me Ervis Martinaj? 10 ditë mister dhe të dhënat kontradiktore

Prej 10 ditësh policia po verifikon disa të dhëna për zhdukjen e Ervis Martinaj.

Pista e parë që po hetohet është ajo e rrëmbimit me pasojë eliminimin fizik të personazhit të njohur të botës së krimit pas denoncimit të familjarëve të tij. Pista tjetër është ajo e një inskenimi të mundshëm me qëllim humbjen e gjurmëve.

Martinaj kërkohet edhe nga SPAK si i dyshuar për porositjen e një vrasjeje që nuk u realizua për të cilën i kishte ofruar të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani deri në 500 mijë euro.

Kush është Ervis Martinaj?

Emri i Ervis Martinajt do të përmendej për herë të parë në kronikat e zeza në tetor të 2013-ës.

Në zonën e ‘Komunës së Parisit’ u ekzekutua Elvis Doçi një biznesmen në fushën e lojërave të fatit.

Policia në atë kohë e hetoi si të dyshuar për ngjarjen për shkak të një konflikti që kishte pasur me viktimën për lojërat e fatit, pak pas nisjes së operacionit ‘fundi i marrëzisë’ që mbylli kazinotë në vend.

Në nëntor të 2015-ës Ervis Martinaj do të shfaqej në një tjetër vrasje, këtë herë e dokumentuar me pamje filmike. Enton Nikaj ekzekutohet në zonën e Linzës, në parkingun e një restoranti të njohur.

Sherri për një borxh të pakthyer përfundoi me shkrepjen e pistoletës që i mori jetën 30-vjeçarit.

Për vrasjen u dënua Emiljano Tasho, një nga shoqëruesit e Ervis Martinaj.

Ndërkohë që fuqizonte pozitën e tij në fushën e lojërave të fatit, Martinaj do t’i shpëtonte vetë plumbave në tetor të 2018-ës në zonën e ish-Bllokut.

Ai mbeti i plagosur nga ish-komando Meviol Bilo ndërsa plumbave nuk i mbijetoi shoku i tij Fabiol Gaxha. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur rëndë edhe Eljon Hato shoqëruesi tjetër i Martinajt.

Martinaj ishte subjekt edhe i operacionit “ Forca e Ligjit”,  të cilit iu kërkua vetëdeklarim i pasurisë.

Në prill të 2021-it, 40-vjeçari i lindur në Burrel por me banim në Fushë-Kuqe dhe Tiranë, u dënua nga Gjykata e Tiranës me gjykim të shkurtuar me 3,8 vite burg.

Ai u shpall fajtor për akuzat e “Sigurimit të kushteve për vrasje”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikim i pasaportave, kartave të identitetit apo vizave”, dhe “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.