Gjykata e Apelit në Hagë ka hedhur poshtë kërkesën e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për tu liruar nga qelia e Hagës ku ndodhet në paraburgim që më 5 nëntor të vitit 2020.
Thaçi apeloi vendimin e gjyqtarit për procedurën paraprake në të cilin urdhërohej vazhdimi i paraburgimit. Lajmi u bë me dije nëpërmjet faqes së internetit të Dhomave të Specializuara.
Në shpjegimin e saj, Dhoma thekson se arsyet e paraburgimit të tij ende qëndrojnë, dhe ekziston rreziku i arratisjes, dyshimi se ai mund të ndërhyjë në procedurë dhe rreziku i kryerjes së krimeve të mëtejshme.
Prokuroria e specializuar më 29 prill ka paraqitur një aktakuzë të ndryshuar kundër Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, në të cilën pretendojnë se kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë dhe Semetish. Ata janë të ndaluar në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
Në përkrahje te ish-udhëheqësve të UÇK-së ka dalë qeveria e Shqipërisë, e cila bazuar në rezolutën e parlamentit i ka konsideruar të pabaza këto akuza që u formuluan në vitin 2011 në Këshillin e Evropës nga Dick Marty.
Në javën e dytë të tetorit drejt Strasburgut pritet që të udhëtojë vetë kryeministri Rama, i cili do të kërkojë nga Këshilli i Europës garantimin e një raporti të ri që akuzat e Marty- t të cilësohen pa fakte nga hetimet e deritanishme.