Politika Berisha: 744 mijë qytetarë ikën prej varfërisë në 8 vite. Qeveria dhe...

Berisha: 744 mijë qytetarë ikën prej varfërisë në 8 vite. Qeveria dhe oligarkët pasurohen

Nga Dibra, në një bashkëbisedim me qytetarët, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha këtë të martë se në 8 vite, nga Shqipëria u larguan mbi 744 mijë qytetarë.

“Pasi dolëm nga diktatura komuniste, 32 vite më pas, përsëri rreziku qëndron mbi ne si ‘Shpata e Demokleut’. A jemi sot në rrezik apo po e teprojmë duke shpallur një gjë të tillë? A është Shqipëria në rrezik? A është Dibra në rrezik? Apo është një teprim? Le t’u referohemi fakteve. Një komb që humbet me shpejtësi banorët e tij, anëtarët e tij është në rrezik dhe rrezik të madh kudo. Këto 8 vite asnjë komb tjetër nuk ka humbur pjesëtarët e vet sa i kemi humbur ne shqiptarët. Kjo nga viti 2014 gjer sot me statistika të sigurta të BE, vetëm në zonën e BE janë larguar nga Shqipëria 744 417 shqiptarë. Pa llogaritur sa kanë shkuar në vendet e tjera të botës. Po ju jap një shembull tjetër. Greqia pas Luftës së Dytë Botërore ra në luftë civile. Nuk ka asgjë më të keqe për një komb, 1 milion grekë u larguan. Kurse ne për 8 vite jemi larguar 26-27% e banorëve nga Shqipëria. Jemi në rrudhje të madhe, në shkretim, po ikën rinia, fëmijët, po ikën e ardhmja”.

Për Berishën, shqiptarët ikin prej varfërisë, ndërsa qeveria dhe oligarkët pasurohen.

“Nëse ka një gjë që dërrmon njerëzit është varfëria që i topit njerëzit, është varfëria që i largon njerëzit nga vendi. Pse jemi ne në rrezik? Ne nuk jetojmë në një vend pa rezerva. Jetojmë në një vend me rezerva të mëdha, por pasuritë e këtij vendi janë shndërruar në mallkim për ne. Në vend që të pasurojnë qytetarët, pasurojnë qeveritarët. Rrallë mund të gjesh një vend tjetër që të ketë pasuritë që kemi ne. Por ne biem me shpejtësi në rroga dhe pensione sepse kjo qeveri ato pasuri i shfrytëzon me oligarkët e saj, të cilët e pasurojnë qeverinë, por mjerojnë qytetarët”.