Për Dritan Goxhajn, ekspert sigurie, shërbime sekrete greke dhe ato serbe janë më të rrezikshme kundër interesave shqiptare sesa shërbimi sekret rus.
“Jemi përqendruar te Rusia, por shërbimet më të mëdha që po veprojnë kundër interesave shqiptare janë shërbimet greke dhe serbe”, tha Dritan Goxhaj në një intervistë për Euronews Albania. Ai tha se për këto shërbime nuk flitet fare, vetëm sepse fokusi është te rusët në Gramsh.
“Ne sot po flasim për tre blogerë që u kapën me kamera dhe dronë, ndërkohë që kemi sinjalizime të pafundme në gjithë jugun e Shqipërisë, që shtetas grekë kanë hyrë duke bredhur gjatë gjithë kufirit të Republikës së Shqipërisë, kanë paraqitur dhe fotografime dhe filmime në faqen e tyre të Facebook-ut të pajisur dhe me mjete që bëjnë matje dhe asnjëherë deri më sot nuk është marrë asnjë masë ndaj këtyre personave,” – u shpreh Goxhaj.
Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç u arestuan mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë.
Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.