Bota Një shqiptar në grupin e inspektorëve të OKB në centralin bërthamor në...

Një shqiptar në grupin e inspektorëve të OKB në centralin bërthamor në Ukrainë që rrezikon Europën

Misioni i ekspertëve të IAEA në Zaporizhzhia

Agjencia Bërthamore e Rusisë njoftoi se në centralin bërthamor të Zaporizhzhia në Ukrainë gjenden 5 inspektorë nga Agjencia Bërthamore Botërore, mes të cilëve edhe një shqiptar.

Grupi i dërguar nga OKB është i përbërë nga inspektori shqiptar, një spanjoll, lituanez, jordanez dhe rumun.

Inspektorët që do të qëndrojnë deri në 4-5 shtator ishin pjesë e grupit më të madh, të cilët u shoqëruan në strukturë nga ushtarët rusë, pas një udhëtimi të rrezikshëm, i shtyrë nga bombardimet.

Pas inspektimit, ata thanë se integriteti fizik i centralit është shkelur disa herë.

“Nuk do të shkojmë askund. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore është këtu tani dhe do të qëndrojë. Është e qartë se centrali dhe integriteti fizik i tij është shkelur disa herë; pa dashje apo qëllimisht nuk e përcaktojmë dot ende”, tha kreu i IAEA Rafaele Grossi.

Gjatë fjalimit të mbrëmjes, presidenti Zelensky tha se shpresonte që inspektorët të nxirrnin konkluzione objektive, por u ankua për mungesën e gazetarëve ndërkombëtarë në mesin e misionit.

“Kemi prova të qarta se Moska ka ndërmarrë një sërë veprimesh cinike për të manipuluar misionin. Forcat pushtuese detyruan qytetarët të gënjejnë përfaqësuesit e agjencisë ndërkombëtare për energjinë bërthamore”, tha presidenti ukrainas.

Sakaq shefi i kabinetit të presidentit Zelensky akuzoi Moskën se po përpiqej të minonte misionin duke bombarduar qytezën e afërt të Enerhodar.

Por Rusia hodhi poshtë pretendimet dhe bëri të ditur se 60 sabotues ukrainas, siç i quajti, të cilin ishin përpjekur të merrnin kontrollin e centralit duke kaluar lumin mëngjesin e së enjtes u vranë. Rusia ka kërkuar mbajtjen e një takimi të këshillit të sigurimit lidhur me çështjen, më 6 shtator. Bashkimi Europian po i jep më shumëse 5 milionë tabela kundër rrezatimeve radioaktive Ukrainës, ndërsa shtohen shqetësimet për një aksident në central.