Mikhail Gorbachev, lideri i fundit sovjetik që i dha fund Luftës së Ftohtë, do të varroset ditën e sotme, katër ditë pas vdekjes së tij.
Presidenti rus Vladimir Putin nuk do të marrë pjesë në ceremoni për shkak të axhendës, shprehet Kremlini.
Megjithatë, kjo lëvizje shihet si një shpërfillje e njeriut që shkaktoi ndarjen e Bashkimit Sovjetik. Më herët, Putin e ka quajtur shpërbërjen “katastrofa më e madhe gjeopolitke e shekullit”.
Sipas Fondacionit Gorbachev, anëtarë të shoqërisë do bëjnë nderimet e fundit në Hollin e Kolonave të Shtëpisë së Unioneve, ashtu si paraardhësit e tij sovjetikë, Lenini, Stalini e Brezhnjevi.
Ai do të varroset në varrezën më të madhe të Moskës, Novodevichy, që është vendi i prehjes i shumë rusëve të shquar. Varri i tij do të jetë pranë bashkëshortes, Raisa, e cila vdiq më 1999.
Gorbachev e mori pushtetin në vitin 1985 pasi prezantoi reforma të forta dhe e hapi Bashkimin Sovjetik me botën. Gjithsesi, ai nuk mundi të ndalonte rënien e unionit më 1991 dhe shumë rusë fajësojnë atë për vitet e trazirave që pasuan.
Ai respektohej gjerësisht jashtë Rusisë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres tha se ai “ndryshoi rrjedhën e historisë”, ndërsa Presidenti i SHBA, Joe Biden, e quajti “lider të rrallë”.
Presidenti Putin dërgoi më herët “ngushëllimet e tij më të sinqerta” duke thënë se si Mihail Gorbachev “pati një impakt të madh në rrjedhën e historisë”. Gjithashtu, të enjten, ai vendosi lule privatisht në arkivolin e të ndjerit.