Qeveria shqiptare pritet që mëngjesin e së enjtes të prezantojë paketën e krizës energjetike.
Lajmin e dha zv/kryeministrja Belinda Balluku e cila tha se plani parashikon disa masa drastike.
“Nesër, së bashku me kryeministrin do të bëjmë prezantimin e paketës për energjinë, përsa i përket edhe fashës 800 kilovat orë, që do të fillojë aplikimin nga 1 Tetori, edhe disa masa të tjera drastike që do të duhet të ndërmarrim në vazhdim. Disa janë marrë si praktikat më të mira nga shtetet e tjera europiane, disa janë përshtatur me kërkesën e vendit tonë. Kështu që nesër do të kemi mundësinë në orën 09:00 që ta prezantojmë të gjithë paketën e krizës energjetike”.
E pyetur nëse qeveria ka marrë në konsideratë skenarin për kufizimin e energjisë elektrike pas orës 22:00, Balluku e mohoi një gjë të tillë.
Ajo solli në vëmendje se disa vende europiane po aplikojnë kufizimin e ndriçimit publik pas kësaj ore, si pjesë e paketës së kursimit të energjisë.
“Nuk me rezulton që të ketë masa për ndërprerje të energjisë pas orës 22:00 sepse do ishte një masë emergjence shumë e madhe, por nuk ndodh kjo. Pas orës 22:00 kërkohet ndërprerja e ndriçimit publik. Gjermania e ka aplikuar këtë. Pra aplikimi i ndriçimit publik, i njësive tregtare dhe gjithçkaje tjetër, ndodh nga ora 4 pasdite deri në orën 10 të darkës, vetëm ai interval lejohet që të ketë drita të ndezura, por flasim për ambientet publike. Pas atij momenti fiken dritat deri të nesërmen në orën 4 pasdite. E ka nisur Gjermania, po e aplikojnë dhe shtetet të tjera. Është pjesë e paketës së kursimit të energjisë”.