Aktualitet Dekonspirimi i operacioneve, Çuçi: Gledis Nano do hetohet për deklaratën që bëri

Dekonspirimi i operacioneve, Çuçi: Gledis Nano do hetohet për deklaratën që bëri

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi se ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano do të përfshihet në hetimet për të zbuluar ata që dekonsiprojnë operacionet policore.

Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Çuçi u shpreh se Nano kishte për detyrë t’i luftonte këto dekonspirime.

“Padiskutim që është shqetësuese, por edhe pjesë e punës së përditshme që ka Policia e Shtetit dhe sidomos Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga këta elementë të inkriminuar që dekonsiprojnë operacionet e policisë. Në lidhje me deklaratën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, kur nuk e di drejtori në detyrë, vështirë se do ta dijë ministri këtë gjë.

Ne do ta hetojmë dhe do ta thellojmë hetimin dhe padiskutim do përfshihet edhe ish-drejtori i policisë i cili ka bërë këtë deklaratë të tillë, për të shkuar drejt zbardhjes të së vërtetës për të goditur këdo që dekonspiron nga brenda operacionet e policisë”, theksoi Çuçi.

Disa ditë më parë, në një intervistë për reportazhin “Hetime Ekskluzive” për kanalin francez Metropole, Gledis Nano ka thënë se gjatë kohës që ishte në detyrë, 14 kriminelë janë arratisur për shkak se ishin të informuar për operacionin.

Ai u shkarkua nga posti i drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit pas mbledhjes së qeverisë më 31 gusht.