Në vijim të turit në Ballkan, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ndaloi në Beograd, ku u prit nga homologu Aleksandër Vuçiç, me të cilin mbajti dhe një konferencë për shtyp.
Erdogan shprehu gatishmërinë e Turqisë për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jemi të kënaqur që është arritur marrëveshja mes Serbisë dhe Kosovës për kalimin e kufijve me letërnjoftime. Sa i përket targave, shpresoj që të arrihet marrëveshje sa më shpejt. Jam i gatshëm të ofrojë mbështetjen për tejkalimin e problemeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse Ballkani nuk mund të tolerojë më këto lloj problemesh”, u shpreh Erdogan.
Më tej, presidenti turk foli dhe për çështjen e Rusisë duke e cilësuar provokuese sjelljen e shumë vendeve ndaj këtij vendi.
“Kur Rusia ndaloi rrjedhën e gazit, papritur, çmimet u rritën në Evropë. Tani të gjithë janë të shqetësuar se si do t’i mbijetojnë dimrit. Pse nuk e keni menduar më parë për këtë? Rusia ka në dorë një letër kaq të rëndësishme. Ju duhet të kishit menduar më parë për këtë”, tha ai.
Presidenti turk tha se Rusia nuk duhet të nënçmohet ndërsa tërhoqi vërejtjen se asnjëra palë nuk është duke e fituar luftën në Ukrainë.
Ndërsa presidenti Vuçiç i kërkoi homologut turk që t’i ndihmojë në sigurimin e energjisë elektrike nga Azerbajxhani. Ai u shpreh i gatshëm për të blerë edhe dronët turq Bajraktar
Ndalesa e Erdoganit në Beograd ishte pjesë e një turneu në Ballkan.
Ai vizitoi Bosnjën të martën dhe të enjten udhëton për në Kroaci ku do të përurojë një xhami.
Turqia vitet e fundit ka rritur praninë e saj në Ballkan, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht.
Kryesisht komunitetet myslimane boshnjake në Bosnje dhe Serbi kanë marrëdhënie të ngushta me Ankaranë, ndërsa kompanitë turke kanë rritur investimet në projekte infrastrukturore në të gjithë rajonin.