Një ditë pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi konfiskimin e ndërtimeve pa leje, zv.kryeministrja Belinda Balluku ka shkuar në zonën e Farkës nga ku ka nisur Operacioni i Konfiskimit të kateve të metrave shtesë të ndërtuara më shkelje të ligjit.
“Ndodhemi në Farkë ky është komunikimi i parë publik që ne po bëjmë sa i përket vendimit që u mor me VKM, është një VKM që ka të bëjë më ndërtimet pa leje që do të konfiskohen dhe përdorim në të mirë publikut. Ky është një shembull pse kemi zgjedhur të vijmë në Farkë dhe të zgjedhim këtë ndërtese, simbolikë e shkeljes së ligjit 7 kate mbi tokë, 9 kate ndërtim pa asnjë letër. Ndërtuesit mund t’i parablejnë katet pa leje me një çmim të indeksuar mbi çmimin real të tregut dhe paratë e përfituara do të derdhen në fondin e shpronësimeve të Unazës së Re ose mund t’i dhurojnë, që të përdoren si apartamente për strehim social apo mjedise zyrash për institucionet. Ndërkohë për të gjitha rastet ka edhe një gjobë për çdo metër katror dhe për rastet kur ndërtuesi nuk pranon opsionet parablerje apo dhuratë që çojnë në ligjërimin e shtesave për arsye sociale, ai ndiqet edhe penalisht sipas ligjit”, tha Balluku.