Politika Patozi: Basha po pret që Rama të rrëzohet vetë, ndërsa Berisha…

Patozi: Basha po pret që Rama të rrëzohet vetë, ndërsa Berisha…

Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike Astrit Patozi e ka konsideruar si të dobët opozitën në këtë mandat të dytë të Edi Ramës në qeveri.

Në një intervistë për gazetaren Mirela Milori në Abc News ai tha se protesta masive e 27 janarit tregoi pakënaqësitë ndaj qeverisë, por kjo nuk mjafton pasi shqiptarët duhet të shohin shpresë dhe alternativë edhe te opozita.

Në analizën e tij, Patozi thotë se opozita e Bashës është pasive duke pritur që Rama të rrëzohet vetë.

Ia kam thënë Lulzim Bashës që asnjë fitore nuk vjen duke pritur. Ai nuk duhet të presë derisa të rrëzohet Rama për të ardhur në pushtet. Ka njerëz që thonë se Bashës i erdhi koha, pasi pas tre vitesh janë zgjedhjet.

8 vite qëndroi PS në pushtet me Nanon dhe po 8 vite qëndroi dhe PD në pushtet me Berishën, por mund të themi që në të dy rastet opozita ka qenë agresive. Madje ajo e Sali Berishës ka qenë edhe më agresive. Kjo e sotmja është një opozitë pritëse”, tha Patozi.

I pyetur për angazhimin e ish-kryeministrit Sali Berisha në këtë situatë, Patozi thotë se e kupton rolin që ai ka zgjedhur të mbajë.

“Berisha? Ai është ende aty. Ai ka thënë që nuk përzihet në vendime të rëndësishme të partisë, por as edhe në debatin e brendshëm. Është një zgjedhje e tij. Ai mbetet një deputet aktiv. Këtë e demonstron çdo ditë”, tha Patozi.