Kryesore Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Metës për Dvoranin

Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Metës për Dvoranin

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e bërë nga Ilir Meta, për pushimin e çështjes lidhur me një kallëzim të tij kundër ish-kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kishte pushuar çështjen, por Meta e dërgoi atë në Gjykatën e Lartë, për të ndryshuar vendimin.

Përplasja e fortë publike mes Metës dhe Dvoranit, që shkoi deri në dyert e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, lindi për shkak të interpretimeve të ndryshme të Kushtetutës nga Presidenti dhe KED, përgjatë procesit të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Kushtetueses. Meta e kishte kallëzuar Dvoranin për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore”.

Hetimi i nisur ndaj Dvoranit pas kallëzimit të Metës u pushua nga Gjykata e Posaçme në nëntor të vitit të kaluar me kërkesë të SPAK, që nuk gjeti elemente të veprës penale në veprimet e Dvoranit. Vendimi u la i pandryshuar nga Apeli i Posaçëm në janar 2022.

Në kallëzimin e tij, Meta pretendonte se Dvorani kishte shkelur ligjin, duke i dërguar jo me radhë, por njëkohësisht listat e kandidatëve për Kushtetuesen në Presidencë dhe në Kuvend. Po sipas presidentit, Dvorani dhe disa zyrtarë të tjerë, në kundërshtim me ligjin, kishin botuar në fletoren zyrtare një prej listave dhe se nuk kishin publikuar disa procesverbale mbledhjesh të KED.