Kryesore Inceneratorët, Berisha: SPAK-u i partisë është bërë mburojë e vjedhjeve të Ramës

Inceneratorët, Berisha: SPAK-u i partisë është bërë mburojë e vjedhjeve të Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se SPAK është kthyer në mburojë për vjedhjet e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.

Gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se SPAK-u e ka të gjithë autoritetin për zbardhjen e çështjes së inceneratorëve, por po përdoret nga mazhoranca si instrument për hetime të rreme.

“SKAP-i i partisë po përdoret si një instrument, për hetime fake për të mbuluar vazhdimin e krimit monstruoz. Skapi i partisë është bërë mburojë kryesore e vazhdimit të vjedhjes së shqiptarëve e nga Edi Rama, Arben Ahmetaj, Ëngjëll Agaçi dhe Erion Veliaj me sipërmarrjen e tyre.

Skapi i partisë ka të gjithë autoritetin ligjor, të vendosë para ligjit, jo vetëm të konfiskojë totalisht pronën e krimit, jo vetëm të vendosë para ligjit pronarët e vërtetë të saj, qeveritarët, por edhe nëpunësit që nuk ushtrojnë kontrollin administrativ”, theksoi kryedemokrati.

Berisha thotë se edhe pas akuzave të shumta për inceneratorët ku pronarët e tyre janë shpallur në kërkim, qeveria i ka disbursuar me miliona euro.

 “Muaj më parë, SKAP-i i partisë për këtë aferë gjidande që tejkalon shifrën 420 milionë euro, njofton se bëhet fjalë për korrupsion, procedura prokurimesh anti-ligjore, falsifikime dokumentash, larje parash, tjetërsime pronash.

Pra, një kompleks veprash penale, nga më seriozet, megjithatë kjo ndërmarrje kriminale, kjo aferë kriminale është e vetmja në Shqipëri, mbi të cilën kanë rënduar akuza të tilla dhe janë shpallur në kërkim menaxherë dhe pronarë të saj, sikur asnjë nuk ka ndodhur, sikundër asnjë mandat arresti dhe shpallje në kërkim nuk është lëshuar, sikundër askush nuk është burgosur në këtë aferë.

Qeveria e Edi Ramës dhe ministria e Financave të disbursojë rreth 100 milionë euro, të vazhdojë të disbursojë plotësisht, të gjitha shumën e parashikuar për djegësin e Fierit, të Tiranës. Kjo është aferë e Edi Ramës”, theksoi kryedemokrati.