Politika Balla: 61 bashki dhe 12 qarqe, ndarja më e mirë administrative territoriale

Balla: 61 bashki dhe 12 qarqe, ndarja më e mirë administrative territoriale

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh gjatë një prononcimi për gazetarët se ndarja administrative territoriale me 61 bashki dhe 12 qarqe është ndarja më e mirë.

“Konkluzioni i ekspertëve është që ne t’i qëndrojmë kësaj ndarjeje administrative-territoriale, natyrshëm edhe në zgjedhjet që vijnë sepse edhe sikur të kishte një vendim për një ndarje tjetër ajo nuk mund të zbatohej në këto zgjedhje që vijnë. Pra mund të zbatohej në 2027. 61 bashki dhe 12 qarqe janë ndarja më e mirë administrative territoriale e vendit”, u shpreh Balla.

Kreu i grupit parlamentar të PS tha se ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme dhe ndërhyrjet e duhura ligjore që kanë të bëjnë me ligjin për financimet politike.

“Si kryetar i grupit parlamentar të PS, në emër të këtij grupi kam kërkuar marrjen e masave të menjëhershme, ndërhyrjet e duhura ligjore në kuadrin ligjor që ka të bëjë qoftë me ligjin për financimet politike, qoftë me Kodin Zgjedhor për pjesën që lidhet me financimin e fushatave zgjedhore. Duhet të biem të gjithë dakord që duhet më shumë transparencë në çështjet që lidhen me financimin e partive politike, dhe në çështjet që lidhen me financimin e fushatave zgjedhore”, u shpreh Balla.