Analisti Andi Bushati teksa foli në “Rubrikën e Opinionit” në studion e lajmeve në News24 u shpreh skeptik me efektivitetin e protestës së tejzgjatur të PD-së si dhe tha që zgjedhjet në Shqipëri këtë herë do t’i ngjajnë zgjedhjeve të Putinit në Rusi dhe Erdoganit në Turqi.
Lidhur me “Komunikimin Javor” të Ramës, analisti Bushati se kryeministri pavarësisht se shfaqej si i qetë nuk ishte aspak i tillë pasi çalonte në argumentat e tij.
“Dikush që përdor 3 argumenta që çalojnë në themel nuk mendoj se është i qetë pavërësiht nga pamja. Huazoi një tezë që e kemi dëgjuar nga Taulant Balla, që opozita bën protestë se nuk do vettingun. Argumenti tjetër është paralelizmi që bëri me 21 janarin. Është pika më e fortë e Ramës që thotë se në fund të fundit këtu protestuesit dalin të lirë dhe jo si në 21 janar, por edhe këtu çaloi se demonstruesit e djeshëm nuk ishin si të 21 janarit, pasi ata sulmuan. Argumenti tjetër është zhvlerësimi i zgjedhjeve të lira. Ai bën sikur punët janë vaj, dhe zgjedhjet nuk vidhen. Zgjedhjet shqiptare i ngjajnë më shumë zgjedhjeve të Putinit dhe Erdoganit” tha Bushati.
Për Bushatin, zgjedhjet e 18 qershorit nuk kanë ndonjë suspancë pasi përveç se qeveria ka forcën politike, forcën e parasë dhe forcën e të fortëve, janë dhe vetëm fajet e opozitës që i bëjnë këto zgjedhje të duken si me fitues të fiksuar.
“A duhet që opozita të shërbejë si alibi që jemi një vend demokratik dhe a i duhet të hyjë në një palë zgjedhje që duket paraprakisht sikur i ka të humbura? Më 19 qershor çdo gjë do duket si normale për Edi Ramën që të thotë, ja e patë votimin dhe ne fituam. Ndeshet me një pushtet që përveç forcës politike, ka forcën e parasë dhe forcën e të fortëve. Opozita ka dështuar të krijojë një frymë revolucionare. Sot gjendet në pozicionin që është e paaftë të kthehet në një konkurruese të denjë. Duket sikur 18 qershori nuk ka suspancë, dhe rezultati duket si i fiksuar. Opozita për shkak të fajeve të veta duket jo konkurrente e fortë”.
Mos reagimi i LSI-së
“Është e njëjta gjë që bën LSI, nuk mban vendime të qarta, do një dorë ta ketë në bakllava e tjetrën në kadaif. Nëse ti ke një ndeshje kaq të madhe konceptesh. LSI gjithnjë këtë lojë ka bërë, dhe në çështjet kryesore të vendit ka bërë politikë pa u prononcuar. Nuk mendoj se Meta do krijojë aleancë me Bashën. Debati më i madh është a do dalë Meta vetëm apo me Ramën?”, tha Bushati.