Bota Donald Trump dhe 3 fëmijët e tij paditen për mashtrim nga Prokurorja...

Donald Trump dhe 3 fëmijët e tij paditen për mashtrim nga Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut

Ish-Presidenti amerikan Donald Trump dhe 3 nga fëmijët e tij janë paditur nga Prokurorja e Përgjithshme e shtetit të Nju Jorkut.

Sipas BBC, bëhet fjalë për një hetim të kryer prej 3 vitesh për lidhur me bilancet financiare të bizneseve të Trump.

Padia e bërë në një gjykatë të shtetit të Nju Jork akuzon Organizatën Trump për përfshirje në akte të shumta të mashtrimit në lidhje me deklaratat vjetore të financave të Trump nga viti 2011 deri në vitin 2021.

Përveç Donald Trump, të paditur janë dhe fëmijët e tij Donald Trump Jr, Ivanka Trump dhe Eric Trump.

Në padinë e ngritur kundër tij prej më shumë se 200 faqesh, Prokurorja Letitia James, pretendon se mashtrimi përfshin të gjitha aspektet e biznesit Trump, përfshirë pronat dhe fushat e tij të golfit.

Sipas padisë, Organizata Trump mashtroi huadhënësit, siguruesit dhe autoritetet tatimore duke fryrë vlerën e pronave të tij duke përdorur vlerësime mashtruese.

“Këto akte mashtrimi dhe keqinterpretimi ishin të natyrës së ngjashme, u kryen nga menaxhmenti i lartë në Organizatën Trump si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët për çdo Deklaratë vjetore dhe u miratuan në nivelet më të larta të Organizatës Trump, përfshirë nga vetë ai”, thuhet në padi.

Këto akuza, ish-Presidenti amerikan i konsideron si “gjueti shtrigash” të motivuara politikisht dhe ka mohuar çdo pretendim.