Aktualitet Ndalohet 37-vjeçarja, hapte llogari në rrjetet sociale me fotot e një gruaje...

Ndalohet 37-vjeçarja, hapte llogari në rrjetet sociale me fotot e një gruaje tjetër për ta sharë dhe kërcënuar

Një 37-vjeçare nga Tirana ka përfunduar në prangat e policisë. E reja u arrestua pas kallëzimit të bërë nga një grua me iniciale M.K. Kjo e fundit pretendonte se një person i paidentifikuar hapte llogari në rrjetet sociale në mënyrë të vazhdueshme me të dhënat dhe fotot e saj personale dhe të fëmijës së saj të mitur. Pas hetimeve u zbulua se pas kësaj historie qëndronte 37-vjeçarja.

“Pas verifikimeve të kryera nga specialistët e Krimit Kompjuterik ka rezultuar se kjo shtetase ka përdorur në mënyrë të vazhdueshme, gjeneralitetet dhe fotot e shtetases M. K. dhe të fëmijës së saj të mitur, për të hapur llogari false në rrjetet sociale, në të cilat shkruante statuse ofenduese dhe kërcënuese ndaj shtetases M. K”, njoftoi policia.

E reja u ndalua në kuadër të operacionit Account për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”. Materialet procedurale për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.