Karriera legjendare e Cristiano Ronaldos e kalon atë të rivalit Lionel Messi, sipas një sondazhi të zhvilluar me futbollistë dhe ish-futbollistë. Dy super yjet botërorë kanë qenë subjekt i krahasimit nga tifozët e futbollit për pjesën më të mirë të dy dekadave.
Messi, 35 vjeç, ka fituar më shumë çmime individuale, duke fituar Topin e Artë shtatë herë në krahasim me pesë herët e Cristiano Ronaldo-s.
Por, dy të tretat e një grupi futbollistësh mendojnë se pesë herë fituesi i Champions League, Ronaldo, 37 vjeç, ka pasur një karrierë më të mirë se kundërshtari i tij argjentinas.
Në një sondazh të kryer nga The Athletic, 66 për qind e ish-lojtarëve të pyetur zgjodhën Ronaldon kur u pyetën se cili nga të dy kishte një karrierë më të mirë.
Kjo statistikë mund të rrjedhë nga qëndrimet e Ronaldo-s në shumë klube gjatë karrierës së tij – një fushë që ai ia kalon Messit.
Kampioni portugez ka shijuar dy periudha te Manchester United, një periudhë historike me Real Madrid-in dhe ka fituar trofe edhe me Juventus-in, pa harruar fillimet e tij modeste te Sporting Lisbona.
Messi, ndërkohë, i qëndroi besnik Barcelonës deri në verën e vitit 2021 kur iu bashkua kampionëve francezë Paris Saint-Germain.
Rivaliteti i Ronaldos dhe Messit ndezi La Liga-n për pjesën më të mirë të 12 viteve – gjë që ky i fundit e shikon me shumë dashuri.
Pas fitimit të Topit të Artë për herë të shtatë, Messi tha: “Gjithmonë kam dashur të përmirësoj veten, jo të shikoj se çfarë po bënin të tjerët.
Kishte konkurrencë me Cristiano Ronaldo-n pasi ishim në të njëjtin kampionat për disa vite. Kjo ishte e mrekullueshme dhe na ndihmoi të rriteshim në karrierën tonë. Unë thjesht doja të isha më i miri që mund të isha.
Unë kurrë nuk kam thënë se jam më i miri në histori dhe përpiqem të mos mendoj për këtë. Të konsiderohesh si një nga më të mirët është e mjaftueshme dhe diçka që nuk do ta kisha imagjinuar kurrë”.