Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar këtë të premte për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj ish-deputetit Alqi Bllako, nga arrest me burg në arrest shtëpie, për aferën e inceneratorëve.
Meta u shpreh se ky vendim është një goditje fatale për sistemin e drejtësisë. Ai theksoi se e gjitha është bërë me urdhër të Edi Ramës, pasi sipas Metës, është kryeministri koka e kësaj afere.
“Sa familjarë janë burgosur për një dritare? Ata nuk kanë fëmijë për të rritur, ndoshta nuk kanë as mundësi të paguajnë një dado. Vendimi i djeshëm tregoi që koka e kësaj afere është Edi Rama, nuk janë as Alqi, as Lefteri.
Kjo është drejtësi më regji. Sepse drejtësia nuk veproi kurrë atëherë kur duhet të vepronte. Fakte flagrante, jo fjalë. Shkelje të hapura nga Edi Rama, Engjell Agaçi dhe ministra. Lirimi i djeshëm i Alqi Bllakos është një goditje fatale për sistemin e drejtësisë. Është një humbje morale, e gjitha me urdhër të Edi Ramës”, tha Meta.