Bota Kush është Ales Bialiatski, Nobelisti për Paqen 2022: I arrestuar 25 herë,...

Kush është Ales Bialiatski, Nobelisti për Paqen 2022: I arrestuar 25 herë, është në burg në Bjellorusi

E vështirë që ketë herë të vijnë urimet dhëmbë shtrënguara nga Kremlini, siç ndodhi vitin e kaluar kur u nderua gazetari disident rus Dmitry Muratov. Edhe këtë vit, Akademia Nobel i vë reflektorër mbi regjimin e Vladimir Putin dhe atë diktatorit satelit Alexander Lukashenko. Por bota ka ndryshuar. Asnjë kortezi sa për sy e faqe për fituesit.

Fituesi i këtij viti, Ales Bialiatski (dhe dy organizatat: ajo ruse për të drejtat e njeriut “Memorial” dhe organizata ukrainase e të drejtave të njeriut “Qendra për Liritë Civile) është një aktivist i shquar bjellorus i të drejtave të njeriut, i cili aktualisht po mbahet në burg pa gjyq.

Bialiatski, 60 vjeç, është themeluesi i Qendrës për të Drejtat e Njeriut ‘Viasna’ (Pranverë), e cila u krijua në 1996 në përgjigje të një shtypjeje brutale të protestave në rrugë nga udhëheqësi autoritar i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko.

Viasna ofroi mbështetje për demonstruesit e burgosur dhe familjet e tyre, duke dokumentuar përdorimin e torturës kundër të burgosurve politikë nga autoritetet Bjelloruse, shkruan BBC.

“Ai ia ka kushtuar jetën promovimit të demokracisë dhe zhvillimit paqësor në vendin e tij”, tha kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit, Berit Reiss-Andersen, duke shpallur tre fituesit e çmimit Nobel të Paqes të këtij viti.

Bialiatski, i cili ka marrë çmime të shumta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, kaloi tre vjet në burg pasi u dënua për akuzat për evazion fiskal që ai gjithmonë i ka mohuar në vitin 2011. Ai u lirua në 2014.

Ai u arrestua përsëri në vitin 2020 (hera e 25-të) pas protestave masive në rrugë për ato që aktivistët e opozitës thonë se ishin zgjedhje të manipuluara që e mbajtën Lukashenkon në pushtet.

“Autoritetet qeveritare kanë kërkuar vazhdimisht të heshtin Ales Bialiatski”, tha Reiss-Andersen.

“Pavarësisht vështirësive të jashtëzakonshme personale, Bialiatski nuk është dorëzuar asnjë centimetër në luftën e tij për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Bjellorusi”, shtoi ajo.

Pak para arrestimit të tij dy vjet më parë, Bialiatski shkroi në faqen e tij në Facebook se autoritetet bjelloruse “po veprojnë si një regjim pushtimi”.

Shëndeti aktual i Bialiatski nuk dihet.

Llukashenko, i përshkruar në Perëndim si diktatori i fundit i Evropës, ka sunduar Bjellorusinë me një dorë të hekurt që nga viti 1994.

Ai ka lejuar presidentin rus Vladimir Putin, aleatin e tij të ngushtë, të përdorë territorin e Bjellorusisë për të nisur sulme me raketa vdekjeprurëse në Ukrainë dhe të dërgojë atje trupa tokësore dhe armatime ruse që nga fillimi i pushtimit të Moskës më 24 shkurt.