Max Verstappen është kampioni i ri i Botës në Formula 1. Piloti holandez zhvilloi një garë fantastike nën ritmin e shiut në Suzuka të Japonisë, duke triumfuar dhe prerë i pari finishin.
Një rezultat që u duk se nuk do i siguronte pikët për të mbrojtur titullin, pasi Leclerc rivali i tij më i afërt e mbylli nga pozicioni i dytë. Gjithsesi, një gabim në momentet e fundit penalizoi pilotin e Ferrarit. FIA e cilësoi si të parregullt prerjen shkurt të rrugës prej tij, duke e penalizuar me 5 sekonda dhe e zbritur në vendin e tretë.
Zhvillim që i shkoi për shtat Verstappen, që merr tashmë titullin e dytë kampion në Formula Një, i siguruar çuditërisht në të njëjtën mënyrë si një vit më parë. Në garën e fundit të edicionit të shkuar, Verstappen triumfoi pasi në pistë hyri makina e sigurisë, duke kurorëzuar kampion pilotin holandez.
Sa i përket garës së Suzuka, pas Verstappen u rendit shoku i tij i skuadrës, Serxho Perez, që ka merita të veçanta tek ky titull i holandezit, për të vijuar më pas renditjen me Leclerc, Okon dhe Hamilton. Britaniku bëri një paraqitje për tu harruar në pistën e pushtuar nga reshjet e shiut dhe treguar limitet e Mercedez këtë sezon.