Politika Meta: Qeveria Rama nuk u jep pensionistëve as një kafe në ditë

Meta: Qeveria Rama nuk u jep pensionistëve as një kafe në ditë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, akuzoi qeverinë Rama se po i shpenzon paratë e buxhetit të shtetit për afera korruptive, në vend që të ndihmojë pensionistët.

Ish-presidenti reagoi pas miratimit të vendimit të qeverisë së Kosovës për dhënien nga 100 euro shtesë për muajin tjetër për pensionistët e vendit.

“Pas Maqedonisë së Veriut, edhe Qeveria e Kosovës ndërmerr hapa konkretë për të mbështetur shtresat në nevojë për përballimin e krizës së rritjes së çmimeve dhe inflacionit të lartë. 100 euro shtesë do të jetë shuma që do të përfitojnë  pensionistët në Kosovë gjatë muajit tetor. Po në Shqipëri? Ndihma e Qeverisë Rama për pensionistët nuk është as sa një kafe në ditë, sepse paratë ajo i shpërdoron dhe i vjedh për inceneratorët dhe koncesionet, ndërsa për  pensionistët në Shqipëri jetesa është e papërballueshme”, tha Meta.

Një ditë më parë, edhe qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi një paketë masash për përballimin e krizës energjetike dhe të çmimeve, në vlerë mbi 350 milionë euro. Nga kjo paketë përfitojnë mbi 91 mijë pensionistë do të ndihmohen me 1500 dinarë, ose 24 euro në muaj.