Aktualitet Arrestohet në Turqi efektivi i Policisë Rrugore të Tiranës, u kap me...

Arrestohet në Turqi efektivi i Policisë Rrugore të Tiranës, u kap me drogë

Një efektiv i policisë rrugore është arrestuar në Turqi pasi është kapur me drogë. Në pranga ka rënë efektivi Florenc Bicerri.

Efektivi ka qenë i shoqëruar me shtetasin Kujtim Çeliku. Çeliku rezulton i dënuar më përpara për vjedhje. Të dy këta persona pasi kanë kaluar pikën kufitare kanë udhëtuar drejt Stambollit.

Autoritetet turke kanë arrestuar efektivin e rrugores Florenc Bicerrin dhe Kujtim Çelikun pasi u kapen me një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike.

Në sajë të këtij operacioni në pranga ra gjithashtu edhe shtetasi tjetër shqiptar, i identifikuar si Adrian Qirici. Në lidhje me përfshirjen e efektivit të Rrugores në trafik ndërkombëtar të drogës, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet.

Në hetime janë përfshirë edhe Pika Kufitare e Rinasit, kjo për shkak sepse më datën 2 dhe 8 të këtij muaji në Stamboll janë arrestuar dy shtetas turq pasi u kapën me drogë. Këta të fundit ishin nisur nga Rinasi drejt Turqisë.

REAGIM I POLICISË SË SHTETIT

Në lidhje me një rast të trafikimit të lëndëve narkotike, të goditur nga autoritetet turke ju sqarojmë se:

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët turq, në lidhje me një rast trafikimi të lëndëve narkotike, në të cilin janë të përfshirë 3 shtetas shqiptarë, njëri prej tyre punonjës policie, ka ngritur një grup të dedikuar hetimor, për hetimin e rastit.

Sqarojmë se punonjësi i Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, shtetasi Florenc Bicerri, tashmë i arrestuar në Turqi, ka dalë nga Shqipëria, nëpërmjet Rinasit, më datë 05.10.2022.

Për këtë punonjës policie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar përjashtimin e menjëhershëm dhe përgjithmonë, nga Policia e Shtetit.

Ndërkohë, grupi i dedikuar hetimor, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe me homologët turq, po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, evidentimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike.