Është dënuar me burgim të përjetshëm Eduard Lamaj, njëri nga ekzekutuesit e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në 30 maj 2020 në zonën e Mamurrasit.
Masa e dënimit u kërkua në seancën e 4 tetorit 2022 nga prokuroria e Laçit, ndërsa sot u dha vendimi.
Në këtë proces gjyqësor i pandehur është edhe Ilir Lika, ndaj të cilit prokuroria kërkoi deklarimin fajtor dhe dënimin me 35 vite burgim, ndërsa sot ai u dënua me 33 vite burg.
Lika u arrestua në zonën e Yzberishtit në Tiranë, ndërsa Eduard Lamaj është ndaluar teksa merrte mjekim në ambientet e një klinike private në zonën e “Qytet Studentit”.
Lamaj, në këtë ngjarje mbeti i plagosur në këmbë, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit që pati me njërin prej viktimave, Bujar Lika.
Prokuroria në pretencën e saj ka pretenduar se Eduard Lamaj dhe Ilir Lika, kanë bashkëpunuar së bashku dhe me dy persona të tjerë, për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit.
Lika ishte një mik i ngushtë i Ervis Martinit dhe Ylli Brahimit të Milotit.
Brahimi gjatë gjithë ditës së ngjarjes, ka qenë nën shoqërinë e Bujar Likës, dhe në gjyqin kundër Lamaj dhe Ilir Likës, Brahimi rezulton të jetë thirrur si dëshmitar.
Në dëshminë tij, Eduart Lamaj është shprehur se u ka kërkuar ndihmë tre shokëve të tij për realizimin e planit, por objektiv sipas tij ishte Ilirjan Allamani, i cili në ato momente nuk ka qenë në ambientet e lokalit, por me të kishte konflikte të hershme që në Itali për drogë, ky ku i fundit nuk i jepte borxhin.