Shtohen zërat në protestën e opozitës që kërkojnë një reagim nga LSI. Kësaj radhe ishte deputeti Aldo Bumçi që i bëri thirrje Ilir Metës t’i bashkohet idesë së opozitës për një qeveri teknike.
Në një prononcim për News24, Bumçi përmendi edhe emrin e Blushit. Pavarësisht se në opozitë me qeverinë, ky i fundit ka qëndruar në heshtje për protestën e opozitës.
Edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta ende nuk ka një qëndrim publik për protestën që po zhvillon opozita, ndërsa Edi Rama këto ditë është shfaqur publikisht me deputetin e PDIU-së Aqif Rakipi.
Zoti Bumçi a keni pasur ndonjë komunikim me përfaqësues të maxhorancës këto ditë?
Komunikimi është publik. Ne flasim me protestë. Ajo e ditës së shtunës ishte më e madhja ndonjëherë. Ishte mesazh i dyfishtë. E para protestë, neveri, kundërshti kundër kësaj qeverie. Ata njerëz dolën për t’i thënë kryeministrit “boll”. Ata iu përgjigjën thirrjes së PD. Ishte mesazh shprese.
Nga ana tjetër nuk kemi asnjë mesazh. Çfarë shkruan kryeministri në “Twitter dhe “Facebook” nuk është përgjigje. E vetmja përgjigje janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Ndërkombëtarët i kanë dhënë sinjalet. Kanë thënë “lufto drogën”, 8 ton drogë kaluan para pak ditësh nga porti i Durrësit. Kryeministri nuk ndahet dot nga krimi. Kancelarja Merkel i tha lufto drogën, bëj zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka vetëm një përgjigje qeveri teknike për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo është e vetmja përgjigje që presim nga zoti Rama, tjetër nuk ka. Ne nuk kthehemi mbrapsht, do thërrasim protestë tjetër deri sa të arrijmë qëllimin tonë.
Ju i drejtoheni vetëm zotit Rama, por dje ka pasur një deklaratë të ish-kryeministrit Berisha që Meta të vendosë, cili është komenti juaj?
Është logjike që thirrje t’u bëhet të gjithë faktorëve parlamentarë. Thirrja e parë i drejtohet Edi Ramës, t’i hapi rrugë qeverisë teknike. Thirrja e dytë për Ilir Metën. I kanë bërë gabim llogaritë. Zgjedhjet e lira janë të paevitueshme. Ti bëjnë llogaritë, Shqipëria nuk do i nënshtrohet Edi Ramës. Protesta e të shtunës tregon se ne nuk do të nënshtrohemi. Ramës i bëhet thirrje se pas 20 vitesh në karrierë politike, ka vetëm një mënyrë, të largohet. I bëjmë thirrje çdo force politike, zotit Blushi, PDIU-së. Nuk ka zgjidhej tjetër. Kjo është thirrje. Ti ribëjnë llogaritë.
Ju flisni për Qeveri Teknike, por kush do ta drejtojë atë? Shpresoni tek mbështetja e Metës. LSI Ajo nuk është shprehur rreth protestës..
Qeveria Teknike është zgjedhje e pranuar nga të gjithë. Kjo është formulë që pranohet. Kjo është një zgjidhje për t’i dhënë vendit një qeveri që shkëput lidhjen e qeverisë me krimin. Një qeveri teknike për të ndarë qeverinë nga krimi. Qeveria teknike është zgjidhje, nuk është marrje e pushtetit me dhunë, por mënyrë demokratike.
Po nëse Rama refuzon?
Kjo është zgjedhja më e zgjuar. Pas 20 vitesh karrierë, ai duhet të largohet. Do ishte zgjedhje logjike që të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme
Po nëse ai refuzon?
Shqiptarët duan zgjidhje, paqe sociale, zgjedhje të lira. E kundërta është izolim. Ne po i bëjmë një thirrje, qytetarët, që të pranojnë qeverinë teknike. T’i hapi rrugë zgjidhjes. T’i përgjigjen nevojës së këtij vendi. T’i bashkohen me lëvizjen e shqiptarëve.
Ju keni bojkotuar Parlamentin. Por kjo javë ka zhvillime ë rëndësishme si reforma në drejtësi. Rama tha se ju po pengoni reformën në drejtës. A po e pengon PD këtë proces?
Kam një përgjigje për Zotin Rama dhe të gjithë ata që ngrenë këtë pyetje për reformën në drejtësi. A mund të ketë reformë në drejtësi aty ku mbillet drogë? A mund të ketë reformë në drejtësi kur vidhet zgjedhjet. Të gjithë ata që flasin për reformën në drejtësi, janë hipokrit. Kush nuk flet kundër drogës nuk është për drejtësi në këtë vend. Pra, parakusht për reformën në drejtësi nuk ka. T’i hapë rrugë qeverisë teknike.