Kryesore Rikthehet pas 15 vitesh debati Rama-Lubonja

Rikthehet pas 15 vitesh debati Rama-Lubonja

Pas 15 vitesh, kryeministri Edi Rama ka pranuar të përballet sërish në një studio televizive me analistin Fatos Lubonja.

Përballja Rama-Lubonja do të zhvillohet brenda këtij muaji, më 15 qershor, në emisionin “Të Paekspozuarit” në Neës 24, ku analisti është i pranishëm çdo javë.

Drejtuesi i emisionit Ylli Rakipi e ka bërë të ditur lajmin gjatë një debati me Lubonjën, ku në studio është e pranishme edhe Jozefina Topalli.

Fatos Lubonja ka qenë mbështetës i flaktë i Edi Ramës, madje dhe një mik i tij i ngushtë.

Por kur dhe si ndodhi divorci mes tyre?

Miqësia mes Ramës dhe Lubonjës lindi që pas viteve ‘90, ku së bashku me të ndjerin Klosi, do shndërroheshin në “musketierët” e opozitarizmit intelektual të politikës së Berishës, e për më tepër, do themelonin frymën kritike nën shembullin e publicistikës së artë të viteve `30.

Ndërkohë që një pakt xhentëllmenësh ekzistonte mes tyre, ai për të mos u angazhuar kurrë në politikë, për të mos marrë kurrë poste ekzekutive, por për ta vijuar betejën intelektuale të papërlyer nga kompromise me pushtete të ndryshme.

Por, sipas asaj çfarë u lexua në vitet ’99-`2000, Klosi me Ramën e shkelën këtë pakt, njëri duke pranuar të zgjidhet drejtor i përgjithshëm i RTSH-së, e tjetri duke u përfshirë në kabinetin “Nano” si ministër Kulture, e më pas duke u zgjedhur kryetar bashkie i Tiranës.

Dhe është ky momenti kur Lubonja vendos që antikonformizimin e tij, pikërisht atë që e kish shijuar ndër vite me në krah Ramën, ta kthente kundër tij.