Policia ka zbardhur vrasjen e 34-vjeçarit Indrit Ndoji në Fushë Krujë të ndodhur mëngjesin e datës 21 Tetor të këtij viti. Si autorë të dyshuar të krimit kanë rënë në pranga vëllezërit Sajmir Miri 39 vjeç dhe Landi Miri 18 vjeç, të dy banues në Fushë Krujë.
Grupi hetimor, gjatë veprimeve hetimore ka sekuestruar në vendngjarje dhe në banesën e dy vëllezërve, prova ligjore që implikojnë dy vëllezërit në vrasjen e 34-vjeçarit.
Paraprakisht dyshohet se dy vëllezërit Sajmir dhe Landi Miri janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta, me 34-vjeçarin Indrit Ndoji, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” pasi ishte arrestuar në vitin 2021 për trafik klandestinësh, por kishte thyer masën duke dalë në rrugë.
Në konflikt e sipër, ata e kanë goditur me kaçavidë 34-vjeçarin dhe më pas janë larguar.
Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore, këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e trupit të viktimës, si dhe mekanizmi i ngjarjes, ka rezultuar se në trupin e viktimës ka një plagë në këmbën e djathtë, që është shkaktuar nga një mjet i fortë shpues/prerës (kaçavidë) dhe për shkak të gjakderdhjes, 34-vjeçari Indrit Ndoji ka humbur jetën.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja”, e kryer në bashkëpunim.