Matthew Perry ka zbuluar se Jennifer Aniston ka qenë kolegia që i ka vënë në dukje se kishte marrë rrugën e gabuar dhe ajo që është interesuar më shumë për të gjatë periudhave që ka kaluar në rehabilitim.
53-vjeçari i cili ka interpretuar personazhin Chandler në serialin “Friends”, në një intervistë për ABC News, tha: “Në vitet 2000 isha krejt i vetëm, takoja vetëm shitës droge. Mbaj mend që një ditë, gjatë xhirimeve të “Friends”, Jennifer Aniston më afrohet dhe më thotë që ajo dhe të gjithë aktorët e tjerë e dinin që unë pija. Ka qenë një moment shumë i frikshëm për mua. Aniston ishte ajo që u interesua më shumë për mua. I jam shumë mirënjohës për këtë”.
Disa ditë më parë, në një intervistë për revistën “People”, 53-vjeçari rrëfeu se ka qenë shumë pranë vdekjes. Në atë kohë u raportua se aktori vuante nga një perforim gastrointestinal, por në realitet ai kaloi javë të tëra duke luftuar për jetën pasi i shpërtheu zorra e trashë nga përdorimi i tepërt i qetësuesve. Ai kaloi dy javë në koma dhe 5 muaj në spital.
“Mjekët i thanë familjes se kisha 2% mundësi për të jetuar”, kujtoi aktori.
Kjo ndodhi si pasojë e varësive që e detyruan Perryn që të hynte në rehabilitim plot 15 herë dhe t’i nënshtrohej 14 operacioneve.