Fenomeni Ronaldo ka ‘zgjedhur’ tetë lojtarët më të rëndësishëm të historisë së futbollit. Nuk mungojnë surprizat.
Cilët janë 8 futbollistët më të fortë në histori? Ronaldo Fenomeni, në këtë listë nuk ka përfshirë CR7. Braziliani ka dhënë një intervistë për The Guardian dhe ka prekur disa tema. Ndër to ka treguar edhe ata që, për të, janë lojtarët më të fortë në historinë e futbollit. Ish-kampioni i botës e përfshin veten në këtë listë, por aty ka vend vetëm për një Ronaldo. Kështu, 5 herë Topi i Artë mbetet jashtë preferencave të brazilianit.
Fenomeni, tashmë president i Real Valladolid, konsiderohet nga shumëkush si sulmuesi më i fortë i brezit të tij. E sigurisht edhe një nga lojtarët më të mirë në histori. Në karrierën e tij ai ka shënuar 442 gola në 646 paraqitje dhe ka fituar dy Topa të Artë. Por cilët janë lojtarët më të fortë për të? Braziliani ka folur për Guardian mbi këtë.
Sipas Fenomenit, ekziston një grup i veçantë i përbërë nga 8 emra: “Mendoj se është një grup shumë, shumë i veçantë, në të cilin janë Maradona, Messi, Cruyff, Beckenbauer, Pelé, Van Basten dhe Ronaldinho. Unë do të përfshija edhe veten time”.
Ka vend vetëm për një Ronaldo
Vetë Ronaldo, megjithatë, pranon se lista e tij përbëhet nga lojtarë krejtësisht të pakrahasueshëm mes njëri-tjetrit. E për zgjedhjen për të përfshirë veten, ai konfirmon se është ndër 8 më të mirët edhe pse fjalën e fundit e kanë tifozët: “Tani le ta thonë tifozët, le ta diskutojnë nëpër lokale. Bëra atë që munda, më të mirën që munda. Tani po bëj gjëra të tjera, gjëra të rëndësishme dhe dua të vazhdoj të përmirësohem. Si futbollist nuk mund të bëj më shumë tani. Emrat që kam zgjedhur nuk mund t’i klasifikosh, nuk mund të krahasohen brezat”.
Mes këtyre kampionëve të mëdhenj bie në sy mungesa e një tjetër Ronaldo, Cristiano. Braziliani nuk e përfshiu atë por dëshiron të bëjë një sqarim. Shumë argumentojnë se ai është Ronaldo origjinal, por nuk i pëlqen ky etiketim: “Njerëzit thonë se jam Ronaldo i vërtetë, më quajnë Ronaldo Origjinal, por ka edhe të tjerë që sigurisht nuk janë ‘fake’. Do të vijnë të tjerë dhe do të jenë më të mirë se unë, në çdo gjë”.