Kryesore “Helidonin e dërgoi në Amerikë”, Berisha: Dy porositë që ka marrë nga...

“Helidonin e dërgoi në Amerikë”, Berisha: Dy porositë që ka marrë nga Rama drejtuesi i ri i SHISH

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Edi Ramën se ka vendosur në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, një person i cili zbaton verbërisht urdhrat e shefit të qeverisë.

Sipas Berishës, Olian Kanushi, nëndrejtori i ri i SHISH, ka vendosur dy kritere, që punonjësit e këtij institucioni të mos komunikojnë me shërbime të huaja dhe çdo informacion për qeveritarët, të mos i raportojnë.

Gjatë një takimi me të rinjtë, Berisha tha se për të arritur këtë, Rama e dërgoi kreun e SHISH, Helidon Bendon për specializim në SHBA duke i hapur rrugë drejtuesit të ri.

“Edi Rama me vullnet të plotë dhe lakmi, mori Presidencën e vendit të cilën nuk duhet ta merrte sepse votat nuk i ka reale, i ka të grabitura. Mori çdo institucion dhe faktikisht sot ky person, falë rrënimit të parimeve themelore kushtetuese, të cilat detyrojnë ndarjen e pushteteve, kontrollon rreth 98% të pushteteve në Shqipëri. Për kuriozitetin tuaj, në SHISH ishte një njeri i tij, por një punonjës i vjetër shërbimi, kishte që në vitin 95’. Kishte punuar në të gjitha kohërat.

Në fund, ky arrin dhe e propozon drejtor shërbimi. Duke qenë se ky, sado që zbatonte porosi të tij, SHISH kërkon të zbatosh ligjin. Përsëri Shërbimi kërkon të zbatosh ligjin. Çfarë ndodhi me Helidonin, që e kishte mbajtur dhe këshilltar për shërbimet inteligjente në Kryeministri?

E mori dhe e çoi në kundërshtim me ligjin, për specializim në SHBA siç bënte sulltani që i merrte nga një provincë në një tjetër. Ka çuar aty, një njeri që zbaton verbërisht çdo urdhër të tij. Ky njeri që nuk ka qenë një ditë të vetme, ka qenë këshilltar i afërt i tij. Shkon aty dhe ka vendosur dy kritere, të mos komunikojë me shërbimet e huaja, pra punonjësit e SHISH. Me shërbimet partnere do komunikojnë intensivisht pasi janë për sigurinë kombëtare.

Porosia e dytë, të mos informoni për qeveritarët kur të dalin. Është reale kjo, prandaj dhe Sandrin (Sandër Kovaçi, drejtuesi i sindikatës së pedagogëve) e ka problem të madh. Sepse ata gjetën 130 komisarë merreshin me mbjellje droge. Ai raportoi se mbronte sigurinë kombëtare. Ky është një shembull se si ky ka marrë gjithë pushtetet”, tha Berisha.