Nga makina me të cilën po patrullonin dhe iu vunë në ndjekje, 3 punonjësit e policisë kanë pasur komunikim me Lear Kurtin, të riun që vdiq vetëm pak minuta pas shoqërimit në Komisariatin nr. 3.
Në dosjen e Prokurorisë që disponon Tv Klan, efektivët kanë dhënë versionin e tyre edhe për arsyen pse vendosën ta ndalonin për verifikim.
“Viktima Laer Kurti sapo na pa ne me makinë policie, filloi të lëvizte në një mënyrë dyshuese, duke futur duart nëpër xhepa dhe ne na u duk sikur kishte diçka të dyshimtë. Në momentin që e konstatuam dhe ishim afër këtij shtetasi, kolegu D.H., i ka thënë “Policia e Shtetit,a je banor i kësaj lagje?”, ky shtetas na u përgjigj ,”JO”. Gjithashtu e kemi pyetur, – “a ke kartë identiteti me vete”,- dhe ai u përgjigj që, – “jo nuk kam”. Edhe gjatë momentit që e ndaluam pasi na iku dhe gjatë shoqërimit në Komisariatin e Policisë nuk kemi ushtruar asnjë formë dhunë, as unë e as kolegët e mi. Dua të shtoj se personi në fjalë kryente veprime të çrregullta me duar e këmbë dhe ne jemi munduar që ta bllokojmë pa e dëmtuar“, dëshmon një prej efektivëve.
Personi që ka bërë ndalimin e Kurtit pranë një marketi pas ndjekjes në këmbë rrëfen si ai qëndronte i ulur në trotuar si i lodhur nga vrapimi.
“Bashkë me D. e kemi çuar në këmbë duke e ngritur nga krahët këtë shtetas dhe e vendosëm ndenjur në trotuar pasi nuk qëndronte në këmbë dhe dukej i lodhur nga vrapimi. Ushtruam një kontroll nëpër xhepa se mos mbante ndonjë gjë, por nuk konstatuam asgjë të kundërligjshme. Pas disa minutash kanë ardhur edhe patrulla të tjera dhe e kanë prangosur këtë shtetas dhe ndërkohë pasi u qetësua e futën kolegët e tjerë në makinë policie. Unë së bashku me dy kolegë kemi kontrolluar vendin ku dyshonim se mund të kishte hedhur ndonjë gjë të kundërligjshme ky shtetas, por nuk gjetëm asgjë. U afruam përsëri tek automjetet e policisë dhe e kemi pyetur nëse kishte nevojë për ndihmë mjekësore, por ai na ktheu përgjigje që jam mirë”, ka thënë polici.
Por gjendja e përshkruar si mirë nga efektivët e policisë ndryshon në pak minuta.
“Në komisariatin e policisë pasi e shoqëruam shtetasin Laer Kurti, i kërkuam që të dilte nga automjeti i policisë, por ai nuk kthente përgjigje. Atëherë kolegët e mi, tentuan ta nxirrnin nga makina, por ky shtetas ishte kapur pas sediljes dhe nuk pranonte të dilte. Aty kolegët konstatuan se ky shtetas nuk ndihej mirë dhe kërkuam me anë të radios ndihmë për një ambulance. Ambulanca nuk po vinte dhe unë mora përsëri sallën operative për ta njoftuar ambulancën dhe salla më ka thënë që është nisur në drejtimin tuaj. Ndërkohë kolegët e mi e kishin nxjerrë nga automjeti shtetasin e shoqëruar dhe e kishin futur në korridor të Komisariatit dhe aty ky shtetas u shtri në tokë. Kolegët gjithë së bashku u munduam t’i jepnim ndihmë duke i hapur gojën që të mos i kalonte gjuha poshtë. Pasi ambulanca nuk po vinte akoma dhe personi nuk po përmirësohej vendosëm që ta fusnim në makinë të policisë dhe ta dërgonim në spitalin e Traumës mbasi ishte më i afërti. Në spital personin e morën personeli mjekësor“, dëshmon efektivi.
Lear Kurti u deklarua i vdekur nga stafi mjekësor në Spitalin e Traumës vetëm pak minuta pas mbërritjes./Tv Klan