Aktualitet Vetëdorëzohet shqiptari i kërkuar për vrasjen e gruas në Itali

Vetëdorëzohet shqiptari i kërkuar për vrasjen e gruas në Itali

49-vjeçari shqiptar Avni Meçja, i cili dyshohet se është autor i vrasjes së bashkëshortes së tij rumune, është vetë-dorëzuar pranë autoriteteve policore në Itali. Shqiptari ndodhej në kërkim prej të dielës pasi policia dyshonte se ai mund të ishte kthyer në atdhe për t’u fshehur.

Ishin të afërmit e 49-vjeçarit të cilët njoftuan policinë se diçka mund të kishte ndodhur në apartamentin e çiftit. Trupi i 35-vjeçares Elena Aleksandra Mokanu nga Rumania u gjet e pajetë mbrëmjen e të Dielës në apartamentin e saj në qytetin verior italian të Bolzanos, jo shumë larg zonës së qytetit të vjetër.

Para zbulimit të ngjarjes Meçja komunikoi në telefon me të vëllain për t’i thënë se po e kërkonin. Pas ndërhyrjes në banesë, policia gjeti trupin e pajetë të 35-vjeçares të mbuluar me batanije dhe me shenja dhune. Fqinjët thonë se e kishin dëgjuar shpesh çiftin të grindej. Dyshimi për vrasjen është konflikti për çështje xhelozie, por hetimet vijojnë. Shtetasja rumune punonte si bariste në qytet ndërsa shqiptari në ndërtim.