Kryesore Inflacioni nga lufta/ Balla: Amnistia fiskale, mundësi e artë për të përballuar...

Inflacioni nga lufta/ Balla: Amnistia fiskale, mundësi e artë për të përballuar efektet e krizës

Drafti i amnistisë fiskale që po diskutohet nga qeveria shqiptare, do të shërbejë për të përballuar inflacionin e lartë të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, thotë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Në një konferencë shtypi me deputeten gjermane Gabriela Heinrich që sot ndodhet për vizitë në Tiranë, deklaroi se amnistia fiskale është ende draft që po shqyrtohet.

Ai siguroi se ky draft do të konsultohet me Bashkimin Europian për të përmbushur të gjitha kriteret.

“Amnistia fiskale nuk është diçka e ndaluar. Plot vende të BE në faza të caktuara kanë bërë amnisti fiskle. Ne do vazhdojmë të konsultohemi me BE dhe do arrijmë në një draft që të ketë edhe dakordësinë e tyre. Amnistia fiskale nuk është diçka e ndaluar, por duhet bërë nën shembullin më të mirë dhe rekomandimet më të mira të BE. Nuk ka ardhur ende në parlament një draft i tillë.

Shumë e rëndësishme është të kuptojmë që në këtë situatë të vështirë ekonomike të shkaktuar nga inflacioni i luftës, dhe luftën nuk e kemi sjellë ne, natyrshëm që të gjitha qeveritë mundohen të sigurojnë të ardhura shtesë për të përballuar efektet e krizës. Amnistia fiskale është një mundësi e artë për të siguruar më shumë të ardhura për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë. Sikurse po sulmohet edhe taksa e jashtëzakonshme. Taksa e jashtëzakonshme kundrejt 3 kompanive që po bëjnë fitime të paimagjinueshme është një mundësi e artë për ta adresuar”, u shpreh Taulant Balla.

Amnistia fiskale po shihet me skepticizëm nga ndërkombëtarët, ndërsa kryeministri Edi Rama ka thënë se do t’u shërbejë emigrantëve shqiptarë të cilët kanë punuar në të zezë, dhe nuk do të jetë e lejuar për “paratë e pista”.