Aktualitet “Pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal”, SPAK çon në gjyq Rezart...

“Pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal”, SPAK çon në gjyq Rezart Taçin

Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion ka përfunduar hetimet për Rezart Taçin, Artur Ballën e Bledar Lilon dhe kërkon gjykimin e tyre për tri vepra penale, mes të cilave “pastrim parash” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Në njoftimin e SPAK thuhet se të “pandehurit Rezart Taçi, Artur Balla dhe Bledar Lilo, në bashkëpunim me shtetasit italian Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli dhe disa persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundraligjshme, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale”.

Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro, të bllokuara në një llogari bankare në një bankë të nivelit dytë në Shqipëri.