Situata në Partinë Demokratike, ku vijon përçarja prej më shumë se një viti, ishte arsyeja kryesore për të cilën Grida Duma thotë se la mandatin e deputetes së fituar në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021.
“Lënia e mandatit tim është moslënia e përgjegjësisë që i njoh vetes. Nëse nuk bëra dot që të mos ndodhë një 6 mars i dytë, do të thotë që duhet të di të bëj duke dhënë një model që ndoshta sot dhe në të ardhmen ndryshon për ujërat e ndenjura që durojmë të gjithë me kompromise”, tha Duma.
Largimi nga politika në situatën që ndodhet PD, sipas Grida Dumës, është vendimi më i duhur. E kundërta thotë ajo do të ishte vegjetimi dhe këtu duket se i çon një mesazh deputetëve të tjerë të PD që nuk e kanë gjetur veten në asnjë prej dy grupimeve kryesore të krijuara brenda partisë: “Më e thjeshta për mua do të ishte të kisha qëndruar, të prisja mos ndodhin dështimet që disa i parashikojnë, siç edhe e di që ka nga ata që po presin skutave të përgjojnë për shansin e tyre të humbur t’i ndrijë prapë pazareve. Mund të qëndroja siç bëjnë shumë, duke thjesht vegjetuar, mund edhe të bëja sikur nuk e shoh thellësinë e problemeve të brendshme”.
Duma tregoi pengun që i kishte mbetur nga politika dhe që nuk do ta falte kurrë: “Jam sulmuar nga hiena që të më brejnë personalitetin. Sot do t’ju them që ka një gjë që nuk do ia fal kurrë politikës së llumit, faktin që goditjet që më bënin mua nën brez, godisnin më shumë shpirtërisht tim bir”.
Grida Duma u largua nga Kryesia e Kuvendit e shoqëruar nga deputetët e PD, Agron Gjekmarkaj dhe Flutura Açka. Mandati i saj do t’i kalojë Ori Nebiajt, që ende nuk ka konfirmuar nëse do ta pranojë. Ndërkohë, shembullin e Dumës pritet ta ndjekë edhe deputeti demokrat Alfred Rushaj.