Aktualitet Shqipëria përmirësohet në Indeksin e Talenteve, por mbetet problem ‘ruajtja’ e tyre

Shqipëria përmirësohet në Indeksin e Talenteve, por mbetet problem ‘ruajtja’ e tyre

Shqipëria është përmirësuar me 8 vende në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë së Talenteve për vitin 2022, duke u renditur në vendin e 65-të nga 133 shtete të analizuara.

Pika ku Shqipëria vlerësohet më ulët është ajo e ruajtjes së talenteve, në vend të 68-të, ku si elementi më negativ përcaktohet ai i mbrojtjes sociale dhe “mbrojtjes së trurit”. Më keq vlerësohet treguesi për aftësitë/njohuritë globale, në vende të 85-të.

Për aftësitë profesionale dhe teknike, Shqipëria zë vendin e 58-të dhe në treguesin e rritjes së talentit, vendin e 59-të.

Nga të dhënat Shqipëria lë pas Maqedoninë e Veriut, të renditur në vend të 68-të dhe Bosnjë Hercegovinën, të renditur në vend të 88-të. Por lihet pas nga Serbia, 52 dhe Mali i Zi, 47, që ka edhe pozicionimin më të mirë në rajon.

Indeksi Global i Konkurrueshmërisë së Talenteve publikohet çdo vit nga “Shkolla e Biznesit për Botën” dhe mat se si shtetet rriten, tërheqin dhe ruajnë talentin, duke i siguruar atyre një ambient të përshtatshëm për të zhvilluar strategji dhe për të qenë më të konkurrueshëm.

Gjatë vitit 2021, Shqipëria renditej në vend të 73-të mes 134 vendeve në total.

Ndërkohë në nivel global, vendin e parë në këtë renditje e mban  Zvicra, Singapori dhe Danimarka.