Kryesore Plagoset me thikë kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi. Arrestohet autori

Plagoset me thikë kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi. Arrestohet autori

Fredi Kokoneshi, kryetari i Bashkisë së Divjakës është plagosur me thikë në shpatull pas një sherri për motive të paqarta, ndërsa plagë në bark ka marrë edhe shoferi i tij, Gazmend Bullari, 45 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30 të mëngjesit pas një debati me Orgest Xhelilin, ish-punonjës IT pranë Bashkisë Divjakë.

Policia thotë se 46-vjeçari Xhelili është arrestuar menjëherë pas ngjarjes si autor i dyshuar dhe është dërguar në komisariat.

Sipas burimeve paraprake, Xhelili debatoi me kryebashkiakun e Divjakës për lëvizjen nga puna të bashkëshortes infermiere.

Pas debateve Xhelili sulmoi Kokoneshin me thikë. I plagosur ka mbetur edhe shoferi i kryebashkiakut, i cili ka ndërhyrë për të shmangur sulmin.

Kokoneshi 54 vjeç dhe shoferi i tij Bullari, janë dërguar menjëherë në Spitalin e Lushnjës.

Bluzat e bardha të Spitalit të Lushnjës kanë konfirmuar se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Në spital kanë mbërritur kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kryetarja e Bashkisë Lushnjë Eriselda Sefa dhe kreu i Bashkisë Fier, Armando Subashi.

Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në 13 korrik 2022, Kokoneshi është dhunuar nga një i ri në mes të qytetit. Ka qenë vetë Kokoneshi ai që ka denoncuar në polici dhunën për 32-vjeçarin Dritan Sterkaj.