Kryesore “Rama një tradhtar”, Meta: Po e ndjek protestën nga charteri, do shkojë...

“Rama një tradhtar”, Meta: Po e ndjek protestën nga charteri, do shkojë para drejtësisë

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e ka cilësuar një tradhtar kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij, punon kundër interesave të vendit.

Gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës, Meta u shpreh se Rama po e ndjek atë nga një charter luksoz, duke e akuzuar për udhëtimet e shpeshta të tij.

Meta nënvizoi se shumë shpejt, Rama do të shkojë para drejtësisë.

“Mirëmbrëma liderit të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe shqiponjave që ndodhen këtu. Sot tradhtori e ndjek këtë miting të fitores, të triumfit, të demokracisë, nga charteri luksoz dhe i paligjshëm. Shumë shpejt do të jetë përpara drejtësisë sipas ligjeve të tij, sipas firmave të hedhur vetë nga ai.

Jeni ju që e  keni të drejtën t’i kërkoni llogari qeverisë. Jeni ju që keni të drejtën ta shporrni qeverinë, kur drejtuesit e saj grabisin, vjedhin dhe shesin atdheun, siç bën Rama dhe Rilindja”, theksoi ai.

Meta tha se Rama premtoi 300 mijë vende të reja pune, por dëboi mbi 740 mijë shqiptarë dhe se për të varfrit Rilindja ka vetëm dy alternativa: ose nënshtrimin, ose dëbimin.

“Rilindja në 10 vite bëri të kundërtën e premtimeve që erdhi në pushtet. Premtoi qeverisje me duar të pastra dhe transparente dhe sot jemi vendi i parë në Evropë për korrupsion dhe i dyti në botë për ryshfet. Shtëpia e tyre e parë nuk është Shqipëria, por offshoret ku kanë fshehur lekët tuaja, nën emrin e tyre dhe të miqve të tyre. Premtoi 300 mijë vende të reja pune, por dëboi mbi 740 mijë shqiptarë. Shqipëria ka numrin më të madh të të burgosurve në vend dhe jashtë vendit. Po kështu, Tirana është kryeqyteti i parë në botë, për numrin e gjobave që u vihen qytetarëve.

Për të varfrit Rilindja ka vetëm dy alternativa: ose nënshtrimin, ose dëbimin. Drejtësia e Rilindjes dënon me burg qytetarët që nuk paguajnë dot energjinë, por nuk vepron ndaj drejtorëve të saj që vjedhin miliarda duke e shitur shumë herë më lirë dhe duke e importuar shumë herë më shtrenjtë. Drejtësia e Rilindjes arreston 82-vjeçaren në fshatin e Vlorës për një kotec pa leje, por garanton amnisti për katet dhe pallatet pa leje në mes të Tiranës. Legalizimin falas që premtoi para se të vinte në pushtet, e beri vetëm për më të pasurit dhe më të fortit. Për më të dobëtit zgjodhi ruspat për tu shembur shtëpitë dhe nuk ua kurseu as gazin helmues nënave me foshnjë për t’i nxjerrë dhunshëm në rrugë të madhe”, tha Meta.