Më 1 Prill, datë kur mbaron marrëveshja mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, kjo e fundit ka nisur prej ditësh tashmë një lojë me dy standarde.
Nga njëra anë dalin eksponentë si Spartak Braho që konfirmojnë marrëveshjen PS-LSI, nga ana tjetër del Luan Rama dhe deklaron të kundërtën.
Ndërsa Monika Kryemadhi, edhe pse i ka votuar të gjitha nismat e qeverisë, ka nisur të zëvendësojë Partinë Demokratike, duke i bërë opozitë qeverisë.
Sot, disa media publikuan një letër të Spartak Brahos me titullin “Refleksion”.
Eksponenti i lartë i LSI-së shprehej se e ardhmja e koalicionit PS-LSI është rruga e tyre e përbashkët me qëllim përmbushjen e reformave.
“Koalicioni qeverisës PS-LSI të kalojë me prioritet në zgjidhjen e çështjeve të papërfunduara, të kryejë reformën zgjedhore, reformën ne drejtësi etj. Të zgjidhe krizën që imponohet nga opozita e djathtë dhe kërkesat ultimative të saj, me qëndrim të përbashkët dhe dialog të pandërprerë.
Besoj se për këto qëllime të mëdha edhe në të ardhmen këto dy forca politike të së majtës shqiptare kanë një rrugë të përbashkët“, shkruante Braho.
Por pa kaluar shumë jehona e letrës së Brahos, Luan Rama deklaroi të kundërtën.
Pas regjistrimit të LSI-së në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit, Luan Rama deklaron se LSI nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e Kavajës.
“Kavaja është një rast i çuditshëm, sepse bëhen zgjedhje për shkak të papërgjegjshmërisë në zgjedhjet e mëparshme dhe gabimit në zgjedhje dhe qytetarëve të Kavajës u jepet mundësia të korrigjojnë gabimin, që nuk e bënë.
LSI nuk merr pjesë në farsë, është e vendosur dhe do të ushtrojë kontributin që të zhvillohen zgjedhje me standarde Europiane.
Absurde që në 2017 një vend i NATO të zhvillojë zgjedhje pa opozitën” deklaroi ai.
Ndërkohë që më herët gjatë ditës, “opozitarja” Monika Kryemadhi deklaroi se LSI synon të dalë forcë e parë, madje se koalicionet duhen bërë pas zgjedhjeve.
Por pse LSI po luan prej ditësh me dy porta?
Shpjegimin më të mirë e ka dhënë vetë kryeministri Edi Rama.
“Është e natyrshme që LSI të mundohet të krijojë një profil më atraktiv duke bërë opozitën e qeverinë dhe qeverinë e opozitës”, deklaroi Rama para disa ditësh për Eni Vasilin.
Pra, me pak fjalë, LSI-ja bën opozitën e qeverisë që të marrë më shumë vota në zgjedhjet e 18 qershorit.
Ndërsa sot, deputeti socialist Taulant Balla ka zgjedhur një takim me të rinjtë e Elbasanit për t’ju përgjigjur deputetes së LSI-së, Monika Kryemadhi për akuzat e kësaj të fundit mbi reformën në arsim.
Duke e ironizuar, Balla thotë se LSI-ja po bën opozitë në vend të asaj të vërtetës që ka bojkotuar institucionet dhe proteston para kryeministrisë.
Ai i kujton deputetes aleate se deklaratat e saj bëhen me qëllim që të manipulojë brezin e ri.
“Sulmi ndaj reformës në arsim bëhet për të manipuluar brezin e ri, pasi të vetmen opozitë që kemi e kemi brenda vetes”,- tha Ballla.
Ndërkohë që në korridoret e politikës flitet prej ditësh se është pikërisht LSI-ja që e mban në këmbë çadrën e demokratëve para Kryeministrisë.
Selia blu ende ruan shpresa që LSI mund të dalë nga koalicioni dhe të formohet qeveria teknike./American Eye