Një ndeshje që do të thotë jashtë ose brenda për Gjermaninë. 90 minuta që janë sigurim i vendit të parë në Grupin E, ose vuajtje deri ditën e fundit për Spanjën.
Sfida duhej të përjetohej ndryshe të paktën nga Panzerat, por pikërisht dështimi me Japoninë i ka bërë ata një bishë të plagosur.
Gjithsesi, Luis Enrique nuk ka ndërmend të ndryshojë lojën e iberikëve: “Ndryshime? Varet nga loja. Bëj atë që mendoj se është më mirë për skuadrën. Varet nga forma e lojtarëve. Janë të gjithë mirë. E njoh shumë mirë trajnerin e Gjermanisë, është një teknik i suksesit. Një Gjermani e tillë mund të jetë shumë më e rrezikshme. Në fund duhet të bëjmë ndeshjen që na intereson e nëse ia dalim mund të bëjmë një rezultat të mirë”.
Tekniku i Spanjës, Luis Enrique, në vigjilje të sfidës kundër Gjermanisë e ka të qartë se do të përballen dy kombëtare të ngjashme. “Në fillim ishte shumë e rëndësishme të ulnim tensionin emotiv. Në këtë rast është ndryshe, kryesojmë me Japoninë. Nga aty duhet të shohësh moralin e çdo lojtari. Motivimi se luan kundër një kundërshtari të këtij niveli janë stimuj shumë pozitivë”, shtoi ai.
“Gjermania luan gjithnjë në sulm, duke kërkuar të bëjë presing në fushën kundërshtare, duke kërkuar të ketë topin. Është skuadra që na ngjan më shumë e për këtë është një sfidë për ne”.