Aktualitet Berisha: Agresori është agjent i Policisë Kriminale, gjithçka ishte e përgatitur

Berisha: Agresori është agjent i Policisë Kriminale, gjithçka ishte e përgatitur

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha thotë se 31-vjeçari Gert Shehu që e goditi me grusht gjatë protestës së opozitës, është agjent i Policisë Kriminale.

Në një konferencë shtypi nga selia blu pas mbylljes së protestës rreth orës 15:00, Berisha tha se Gerti Shehu është përdorur dhe se ngjarja ishte e përgatitur.

“Siç u pa ishte një akt agresiv kriminal i një personi që plotëson çdo kusht për të qenë i përdorur. Ajo që është më flagrante është që personi është agjent i Policisë Kriminale. Gerti Shehu është agjent i Policisë Kriminale, kontigjent me minimale siç futen në rrethet e trafikantëve. Problem me disa çrregullime, por fakti që zyra e Fugës shpërndau me urgjencë këtë dokument shëndetësor për të dëshmon se gjithçka ishte e përgatitur. Për raste të tilla këta pesona përdoren”.

Kryetari i PD akuzoi Edi Ramën se është porositësi i këtij akti, ndërsa nuk la pa përmendur as ministrin e Brendshëm Bledi Çuçin dhe kreun e AMP, ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliun.

“Rama tregoi se është 100 për qind duarbrenda. Këtu thuhet: Vërtetim mjekësor për t’u përdorur kudo që të nevojitet, por ky vërtetim nuk ka asnjë datë. Ai që lexon këtë thotë se ky mund të jetë i vitit 2018 pasi thotë u paraqitur në klinikën tonë në Janar të 2018. Vërtetimi shumë i çuditshëm se thotë se episodi i fundit i 10 Gushtit 2022 u rekomandua të dërgohet në urgjencën psikiatrike ku pasi mori ndihmën e parë u kthyer në shtëpi. Kjo dëshmon që qeveria e kishte bërë gati për të mashtruar dhe justifikuar aktin kriminal të një agjenti të policisë kriminale të përdorur nga Çuçi i familjes me porosi të Ramës”.

Sipas Berishës, Gert Shehu është përdorur më herët nga Policia Kriminale për të goditur rrjetet e trafikantëve të drogës dhe është përdorur gjithashtu në besimtarët e xhamisë.

“Ky i sëmuri ka marrë rinovim patente në 2022, si i sëmurë, ky nuk mund të merrte patentën. I përgatitur nga Rama, Çuçi dhe Ardi Veliu. Agresori me origjinë nga Tepelena, i ka shërbyer Policisë Kriminale në rrjet kriminelësh dhe në besimtarët e xhamisë. Ai u paraqit se zbatoi porosinë e një vëllau mysliman, është i regjistruar që pohon se ka zbatuar porosinë e një vëllau mysliman. Porosia është e Ramës dhe ministrit të tij të familjes, Çuçit. Nuk mendoj se të jetë kush tjetër përveç Ardi Veliut. Nuk kam asnjë provë, por Veliu në kupolën e policisë është kriminel që mund të stisë gjithçka. Ky është bashkëpunëtor i Policisë Kriminale i përdorur për rrjetet e trafikantëve të drogës midis besimtarëve myslimanë. Shkresa siç e shihni, nuk ka asnjë datë që nuk ndodh ndonjëherë, ka për klinikën mjekësore dhe për çudinë tuaj, as vula nuk ka datë, është me vula të shumta, por pa data. Është arrestuar në 2015 sepse iu gjetën 1.9 gramë lëndë e dyshuar kanabis sativa. Janë tipike veprimet që kryhen ndaj agjentëve të policisë për t’i instaluar në rrjetet e trafikanëve. Në burimet e mia, ky ka funksionuar si agjent i policisë kriminale. Ky thuhet se është i datëlindjes 1981, banues në Tiranë prej shumë vitesh. Këto janë të dhënat e kontigjentit të policisë, ky është i rekrutuar nga policia”.