Kryesore Berisha në Kuvendin e FRPD: Shqipëria shpëtohet me revolucion, jo me lutje...

Berisha në Kuvendin e FRPD: Shqipëria shpëtohet me revolucion, jo me lutje dhe deklarata

Dita e sotme shënon 32 vjet nga krijimi i Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 që përmbysi komunizmin. Në përkujtim të kësaj dite, Forumi Rinor i Partisë Demokratike ka organizuar Kuvendin e FRPD-së.

I pranishëm në këtë Kuvend ishte edhe kryetari i PD-së, Berisha i cili është shprehur se Shqipëria shpëtohet vetëm me revolucion dhe jo me lutje apo me deklarata.

Sali Berisha:Mos harroni se jeni trashëgimtarë të një lëvizje, e cila me një guxim epik, me një guxim në kufijtë e legjendës, u përball në vitet ’90 me diktaturën më të egër staliniste, më çnjerëzore, më barbare, me diktaturën komuniste, e cila në kohën kur bashkëmoshatarët tuaj mbushën sheshin, diktatura vriste ata që niseshin për të arritur në botën e lirë, por mbeteshin nën breshëritë e kallashnikovëve të rojeve të vdekjes.

Megjithatë ata të rinj, të udhëhequr nga bashkëmoshatari juaj Azem Hajdari, i shndërruar në një lider legjendar, e gjunjëzuan diktaturën dhe diktatorin. I imponuan atij, vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri. Në një betejë të pashembullt në katër anët e vendit, përmbysën me votë diktaturën komuniste në Shqipëri.

Kjo është trashëgimia, që do ju frymëzojë ju dhe gjithë shqiptarët në betejën për liri dhe dinjitet.

Është kjo trashëgimi që të ngriheni në lartësinë e idealeve fisnike. Kështu që sot, fjala dhe kryefjala e ditës është revolucion dhe vetëm revolucion. Shqipëria nuk shpëtohet me lutje, Shqipëria nuk shpëtohet me deklarata. Shqipëria shpëtohet me revolucion. E shpëtojnë guximtarët, ata që e duan, ata që i dalin zot, e shpëtojnë ata si ju, që jeni të gatshëm të përballeni ballë për ballë, dhëmb për dhëmb me fundërrinat e regjimit të vjetër, me Edi Ramën, këtë bir xhelati që urren qenien shqiptare, që urren liritë e shqiptarëve, që urren dinjitetin e shqiptarëve”.

Gjatë fjalës së tij, kreu i demokratëve Berisha u është drejtuar të rinjve duke ju thënë se “kanë të gjithë potencialin, të gjithë energjinë, entuziazmin, guximin, forcën për të shpëtuar këtë vend”.

Sali Berisha: “Sot ne mblidhemi në këtë Kuvend, pasi ju, drejtuesit tuaj, anëtarët, anëtarët e PD-së, u shndërruat në fibrën më të fuqishme të rithemelimit të PD-së, të rivitalizimit të saj, u shndërruat në vis vitalis të atij revolucioni, që kishte dy qëllime madhore: shpëtimin e PD-së dhe shpëtimin e Shqipërisë.

Ju vini krenarë, pasi keni realizuar me sukses të plotë misionin e parë. Ju vini krenarë dhe më të vendosur se kurrë, më të fuqishëm, më të motivuar në misionin e dytë, i cili është një mision i një rëndësie të jashtëzakonshme për të ardhmen e kombit shqiptar dhe Shqipërisë.

A do mundeni ju, me energjinë, me guximin, me përkushtimin tuaj, të shpëtoni Shqipërinë, e cila ndodhet në një rrokullisje të madhe, e cila përballet sot me pasoja të një pushtimi të brendshëm ndër më të egrit në historinë e ekzistencës tonë kombëtare? A do mund të shpëtoni ju sot Shqipërinë, e cila është sot, vendi, shoqëria më e adresuar, më viktimë e mafias shqiptare rajonale dhe botërore?

Shtroj këtë pyetje, por bindja ime e thellë është se ju keni të gjithë potencialin, keni të gjithë energjinë, entuziazmin, guximin, forcën për të shpëtuar këtë vend, për ta vendosur atë përsëri në rrugën e të ardhmes, në rrugën e dinjitetit kombëtar, në rrugën e integrimit euroatlantik”.

Berisha: Edi Rama nxjerr një kriminel në rrugë dhe gjuan, por kauza jonë nuk vdes kurrë o mjeran

Sali Berisha ka përmendur edhe incidentin që ndodhi në protestë 2 ditë më parë kur u godit me grusht nga 31-vjeçari Gert Shehu.

Kryetari i PD-së akuzon kryeministrin Rama si ideator të këtij incidenti dhe thotë se një njeri në rrugë mund të goditet apo të vritet, por sipas tij kauza nuk vdes.

“Jetën e japim votën nuk ta falim”, është kjo moto, sipas Sali Berishës, për të luftuar Edi Ramën.

“Ne do t’ia dalim dhe ju do t’ia dilni, ne e duam Shqipërinë, ne do i dalim zot Shqipërisë, ne i besojmë Shqipërisë, ne i besojmë Shqipërisë, ne jemi të gatshëm të luftojmë çdo armik të saj, çdo pushtues të saj, çdo mafie të saj. Asgjë nuk na ndalon ne pa realizuar qëllimet tona. Edi Rama ky frikacak nxjerr një kriminel në rrugë dhe gjuan. Po një njeri mund të gjuhet, një njeri dhe mund të vritet por kauza nuk vdes kurrë mor mjeran, kauza jonë, dhe ne do ta faktojmë shpejt Edi Rama. Kauza jonë do të triumfojë, se Shqipërinë s’ta japim kurrë, se lirinë s’ta japim kurrë, se votën e lirë s’ta japim kurrë. Ata që kanë luftuar pushtues në histori i kanë luftuar me moton “Ja vdekje ja liri”. Kurse ne pushtuesin tonë do ta luftojmë me moton “Jetën e japim votën nuk ta falim”. Mjerë ti që ke prekur votën tonë”,  deklaroi Sali Berisha.