Sport Cristiano Ronaldo kërcënoi me largim nga Katari, por federata portugeze e mohon

Cristiano Ronaldo kërcënoi me largim nga Katari, por federata portugeze e mohon

Gonçalo Ramos mahniti botën me tripletën e shënuar ndaj Zvicrës në ndeshjen e parë si titullar, por në Portugali po diskutohet më shumë për Ronaldon në prag të çerekfinales me Marokun. Dhe shtypi ka zbuluar një prapaskenë që ndodhi ditën e ndeshjes me Zvicrën.

Sipas ‘Record’, sapo mësoi që do të qëndronte në stol, CR7 pati një diskutim me trajnerin Fernando Santos dhe e kërcënoi se do të largohej nga Katari.

Krisja u kalua në atë moment dhe 5 herë fituesi i ‘Topit të Artë’ u ul në stol, për të luajtur gjatë 20 minutave të fundit, pasi u kërkua me ngulm edhe nga publiku në stadium. Raporti i tij me trajnerin Santos nuk është aq i mirë, e tregoi edhe shfryrja e lojtarit në momentin e ndërrimit me Korenë e Jugut. Një sjellje që Santos e kritikoi publikisht dhe që me shumë mundësi i kushtoi stolin lojtarit ndaj Zvicrës.

Ronaldo ngre gjithmonë diskutime, çdo shikim dhe sjellje e tij analizohet me mikroskop, kështu që edhe reagimi i tij në fitoren e fundit është në shënjestër. Një gazetar portugez publikoi një video, ku shfaqet Ronaldo që shkon në dhomat e zhveshjes, teksa shokët e tij festojnë duke falënderuar tifozët.

Një sjellje që nuk u pëlqen tifozëve, të cilët nuk e duan më në formacion, pasi besojnë më shumë te Ramos, i cili duket se i ka dhënë fund erës Ronaldo. Lojtari i Benfikës pritet titullar edhe me Marokun, ndërsa CR7 do të ulet në stol, me dhjetëra fotografë gati për të kapur çdo shprehje të fytyrës së tij.

Federata portugeze ka hedhur poshtë me një komunikatë zyrtare zërat për kërcënimin me largim nga Katari të Ronaldos. “Në asnjë moment kapiteni Cristiano Ronaldo nuk ka kërcënuar me largim. Çdo ditë ai ndërton një histori unike në shërbim të kombëtares dhe vendit. Dedikimin e tij, lojtari me më shumë ndeshje te Portugalia e tregoi ndaj Zvicrës. Ambienti është si në ditën e parë, me shumë besim për të arritur rezultatin më të mirë të Portugalisë në një Kupë Bote”, – shkruhet në komunikatën e federatës portugeze.