Hetuesit belgë kanë kontrolluar zyrat në Parlamentin Europian në Bruksel të hënën, si pjesë e hetimeve që po kryhen për dyshimet e korrupsionit nga Katari.
Sipas asaj që shkruan BBC, ky ishte kontrolli i 20 që prej të premtes dhe Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola paralajmëroi eurodeputetët se “demokracia është nën sulm”. Policia belge deri më tani ka ngritur akuza ndaj 4 personave, në mesin e tyre edhe ndaj zv/presidentes së PE, Eva Kaili, eurodeputete greke.
Katari ndërkohë ka mohuar të ketë lidhje me rastin, ndërsa avokati i Kailit tha se ajo është e pafajshme. “Ajo deklaroi pafajësinë dhe tha se nuk ka asnjë lidhje me ryshfetin nga Katari”, deklaroi për mediat greke të martën avokati i saj.
Hetuesit belgë thanë se në shtëpinë e njëri prej të dyshuarve u gjetën rreth 600 mijë euro kesh, 150 mijë euro në apartamentin e një eurodeputeti dhe qindra mijëra euro të tjera në një valixhe në dhomën e një hoteli në Bruksel. I pyetur nëse ishin gjetur para në apartamentin e Kailit, avokati i saj tha: “Nuk e kam idenë nëse janë gjetur para, apo sa janë gjetur”.
BBC raporton se kërkime ka pasur si në Bruksel ashtu edhe në Itali. Që prej së premtes, burimet e IT të 10 punonjësve të parlamentit janë “ngrirë”, në mënyrë që të parandalohet zhdukja e të dhënave të nevojshme për hetimin. 4 të arrestuarit nga policia belge akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion. Ata pritet të dalin para gjykatës të mërkurën.
Kaili, eurodeputete prej 8 vitesh, u pezullua nga detyra e saj si një prej 14 zv/presidentet nga presidentja Metsola. Gjatë ditës së sotme pritet që Parlamenti Europian në Strasburg të votojë për t’i hequr asaj rolet, përpara një debati emergjent mbi këtë skandal.
Ajo po ashtu është pezulluar nga parlamenti i grupeve Socialiste dhe Demokrate dhe u përjashtua nga partia greke e qendrës së majtë, Pasok. Hetuesit në Greqi po ashtu kanë ngrirë të gjitha asetet e Kailit, bashkëshortit dhe familjarëve të saj.
6 persona u ndaluan të premten si pjesë e hetimit pas dyshimeve se Katari ka korruptuar zyrtarë të BE për të fituar influencë. 2 prej të ndaluarve u lanë të lirë. Emrat e të arrestuarve nuk janë bërë publikë, por Kaili besohet të jetë një prej tyre.