Bota Kurti: Këtë javë do të dorëzojmë aplikimin për anëtarësim në BE

Kurti: Këtë javë do të dorëzojmë aplikimin për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi në mbledhjen e sotme të qeverisë se autoritetet do të dorëzojnë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Siç e dini, ne jemi vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që po aplikojmë për Bashkimin Evropian edhe pse jemi vendi i parë në këtë rajon për sundimin e ligjit, lirisë dhe demokracisë”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, ka ardhur koha që statusi potencial kandidat, “që na është njohur shumë kohë më parë, ta kthejmë zyrtarisht në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian”.

Kosova deri tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Shtetet mosnjohëse janë: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.