Aktualitet Destinacionet turistike më të bukura të Memaliajt

Destinacionet turistike më të bukura të Memaliajt

TEQEJA E KOSHTANIT

Teqeja e Koshtanit është monument kulture e kategorisë së parë. Gjendet në fshatin Koshtan të njësisë administrative Qesarat, në bashkinë Memaliaj.

Teqeja e Koshtanit, ka një histori shumë të vyer. Kjo teqe është ringritur nga Sadik babai me orgjinë nga Thesalia në vitin 1807, ndërsa në vitin 1908 në këtë teqe u çel dhe shkolla e parë shqipe në rrethin e Tepelenës.

Është një objekt Kulti që i përket fillimit të shekullit XX. Ndërtesa është 2 katëshe. Në hyrjen e madhe të rrethimit të Teqesë ndodhet busti i Heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, ndërsa ne oborrin e saj përball hyrjes kryesore ndodhet busti i Baba Muharremit. Teqeja në hyrjen kryesore ka një ballkon i cili është dy katësh dhe për në katin e dytë ngjitesh me një palë shkallë që janë jashtë ballkonit. Ballkoni ekzistues është ndërtuar në vitin 2009 dhe është me kupolë sipër. Në katin e parë Teqeja ka si ambiente të brendshme 3 dhoma dhe 1 korridor. Në katin e dytë si ka ambiente të brendshme 1 dhomë pritjeje, dhoma e Babait, Faltorja (Mejdani) dhe korridori. Për ndërtimin e mureve janë përdorur gure të punuar, të vendosur në rreshta horizontal dhe të lidhur me llaç balte dhe gëlqereje.

ÇUKAT E GLLAVËS

Çukat e Gllavës klasifikuar si monument natyre, ndodhet në fshatin Gllavë të njësisë administrative Buz në bashkinë Memaliaj 45 km larg qytetit Memaliaj. Fshati Gllavë është një nga më të vjetrit në gjithë vendin. Ai ka ekzistuar që në shekullin e pestë të Erës sonë, rreth 1500 vjet më parë. Përmendet në emër në një dokument pronësie të Peshkopatës së Ohrit që në fillim të shekullit të XI.

Maja më e lartë e Çukave të Gllavës shtrihet mbi 1000 metra lartësi, nga ku mund të shohësh në 360 gradë ishullin e Sazanin, qytetin e Fierit, Beratin, Kuçovën, Tepelenën, Memaliaj, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë. Ngjitja për në majën e Gllavës gjarpëron aq bukur duke dhuruar një panoramë mahnitëse. Nga lartësitë e Gllavës, në Mars të vitit 1942, Benito Musolini drejtoi operacionin e 28 të Divizioneve të Armatës së Nëntë Italiane, në frontin e Luftës Italo–Greke. Si pika më e lartë e Jugut në Majën e Gllavës u vendosën për herë të parë antenat e kompanive telefonike dhe aty janë akoma dhe sot.

Dikur në këtë pjesë ka qenë rruga antiko-mesjetare, e cila dallon nga gjurmët e kalldrëmta që shfaqen herë pas here përgjatë rrugës. Ajo lidhte qendrat e rëndësishme tregtare të asaj kohe, që vijonte nga Berati në Gjirokastër e mandej në Janinë. Kjo bënte që fshatrat përgjatë vijës të ishin mjaft të zhvilluara, si rezultat i tregtisë dhe shkëmbimit, ky fakt ruan akoma elementë të kulturës dhe sjelljes njerëzore në këto vende, ku spikat mikpritja.

URA E GIGOVËS

Ura e Gigovës atraksion kulturor, ndodhet në fshatin Selckë e Vogël të njësisë administrative Buz, bashkia Memaliaj. Gjendet në shtrirjen midis maleve të fshatrave Selckë e Madhe, Komarit të bashkisë Memaliaj dhe maleve të fshatrave Zhapokikë e Beratit dhe Panarit të bashkisë Berat.

Mendohet se është ndërtuar 260 vite më parë nga Kurt Pasha i Beratit. Aty rrjedh dhe uji i bekuar i Gigovës i cili ka prurje të pashtershme gjatë stinës së dimrit dhe verës.

Sot kjo urë për veçantinë që mbart shërben si atraksion kulturor për vizitorët.

LIQENI I KOMARIT

Liqeni i Komarit ndodhet në fshatin Komar të njësisë administrative Buz, në bashkinë Memaliaj. Ndodhet 28 km larg qytetit Memaliaj. U ndërtua në vitin 1982 për të mundësuar vaditjen e tokave, ndërsa sot ky rezervuar shërben si atraksion natyror ku vizitorët mund të zhvillojnë sporte të ndryshme si peshkim, not, lundrim me kanoe.

BUNKERËT E KOMUNIZMIT NË ZONËN E BUZIT.

Bunkerët e komunizmit në zonën e Buzit janë dëshmi së kaluarës komuniste në vend, të cilat u ndërtuan me qëllim mbrojte.

Në këtë zonë ndodhen 6 bunkerë me largësi 30 km larg qytetit Memaliaj që është kryeqendra e bashkisë Memaliaj.

2 Bunker ndodhen në fshatin Gllavë, 2 bunkerë në fshatin Komar dhe 2 bunkerë në fshatin Arrëz e Vogël.

Teksa dikur ishin planifikuar si objekte për mbrojte në rast lufte, sot bunkerët janë atraksion turistik.

SHKËMBI I BARDHË

Shkëmbi i Bardhë i Hoxhajve gjendet mes gjelbërimit të pyllit të dendur në fshatin Buz Kalemaj të njësisë administrative Buz, bashkia Memaliaj. Është i lartë 15 metra.

RRËNOJAT ARKEOLOGJIKE TË KALASË SË RABIES

Në jugperëndim të fshatit Rabie të njësisë administrative Luftinjë, bashkia Memaliaj në kodrën e Rabies ndodhen rrënojat e kalasë së Rabies (nja kala antike dhe një antike e vonë). Kalaja ndodhet në majën më të lartë të kodrës shkëmbore në lartësinë 880 metra midis fshatit Rabie dhe luginës së përroit të Luftinjës (degë e lumit Vjosë). Ky vendbanim sipas të dhënave historike daton që në epokën e hekurit.

FSHATI KALIVAÇ

Kalivaçi është fshat i njësisë administrative Krahës në bashkinë Memaliaj. Pjesë e projektit “100 fshatrat”, Kalivaç është një fshat i lashtë e me histori që daton që prej shek.II para erës së re dhe shtrihet mbi disa kodra e bregore të gjitha mbi gurë.

Arkeologët kanë zbuluar dhe regjistruar arkifakte dhe gjurmë të historisë nga paleoliti i mesëm e deri në mijëvjeçarin e fundit. Një zbulim shumë i rëndësishëm në grykën e Ylynecitnë shpellën e Ylynecit që gjendet në lartësinë 15 m, ndodhet një kishëz eremite që daton në shekullin XIII dhe IV pas Krishtit ku ende dallohen detaje të pikturës së Shën Mërisë.

Gjithashtu ky shkëmb njihet si pjesë e malit të Gribës që ndodhet i tendosur mbi lumin Vjosë, në fshatin Dorëz, përballë fshatit Kalivaç dhe tek ky shkëmb është edhe një pus me thellësi 3-4 m. Sipas gojëdhënave në këtë shkëmb ekziston një vrimë me një perimetër të madh dhe nëse komunikon me ndonjë dalje në drejtim tjetër, mendohet se në brendësi të saj, është fshehur një thesar i madh qysh nga koha e pushtimit otoman. Disa dyshojnë se ndoshta është thesari i Ali Pashë Tepelenës.

Edhe pse vendasit dhe të ardhurit nga rrethet e tjera kanë kërkuar, por nuk kanë mundur të bëjnë kërkime të plota pasi në të është e banuar me bletë të egra dhe e mbushur me hoje të mjaltëruara.

PUSI I SHËNDËLLISË

Pusi i Shëndëllisë është monument natyre që gjendet në fshatin Maricaj të njësisë administrative Luftinjë, bashkia Memaliaj.

RREPET E DERVENIT

Rrepet e Dervenit janë monument natyre që shtrihen përgjatë lumit Vjosë në zonën e njohur si Derveni në fshatin Kallëmb njësia administrative Memaliaj fshat, përballë qytetit Memaliaj. Në këto rrepe në 4 maj të vitit 1943, periudhë kjo që përkon me Luftën e Dytë Botërore është zhvilluar debati midis krerëve të partisë Komuniste dhe të partisë së Ballit Kombëtar, të cilët nuk ranë dakort për të shkuar të bashkuar në luftë kundër pushtuesit nazifashist, qëllim ky i përbashkët që përkonte edhe me një nga pikat e programeve të tyre.

Për shumë vite banorët e zonës së Memaliaj në këto rrepe festonin çdo 27 qershor, duke e kthyer në një traditë të përvitshme.

Miniera e Qymyrgurit Memaliaj, në zonën e njohur si Sektori i Tretë në afërsi të fshatit Luftinjë (atraksion për ture historike)

Kalaja e Rabije në fshatin Rabije (zonë arkeologjike)

KULTURA DHE TRADITA: Në Bashkinë Memaliaj ruhen shumë tradita si në veshje, këngë e artizanat. Punimet me grep, shtiza dhe gjilpërë janë ndër punimet e dorës më të realizuara nga vajzat e gratë e zonës. Memaliaj ka të trashëguar një vlerë të spikatur të bashkjetesës ndërfetare. Kengët, vallet, mikpritja janë një element tejet tërheqës për këdo që e viziton këtë bashki

KULINARIA: Nuk mund të thuash se kam vizituar Memaliajn, nëse nuk ke provuar gastronominë e zonës. Disa nga gatimet tradicionale të zonës janë Troftë e egër e pjekur ose në tavë, përsheshi, petanik, byrekun me lakra të egra, sarmat me gjethe rrushi, petët me mish zog pule, revani me niseshte, rosnicat me mish zog pule, mish qingji në hell dhe rakinë e rrushit, reçelërat glikot dhe turshitë e ndryshme. Shumë nga këto ushqim ofrohen edhe në bujtinat të cilat kane çelur aktivitetin e tyre dy vitet e fundit duke i shërbyer shumë turizmit në Bashkinë Memaliaj. Këto bujtina kanë punuar për identifikimin, ruajtjen dhe promovimin e traditës së gatimeve, duke dërguar në çdo tavolinë pjatat e gatuara me shumë dashuri.

Ndërsa për kuzhinën, dihet, të gjithë ata që erdhën në minierë në kohën e lulëzimit të saj ishin fshatarë të zonave të Jugut, të Gjirokastrës, Mallakastrës, Përmetit, Zagorisë, Lunxhërisë, Kurveleshit etj. Kështu që bashkë me traditat e tjera, ata sollën edhe traditën e gatimit. Prandaj këtu kuzhina është me specialitete nga më të shumëllojshmet, krahasuar me qytetet e tjerë fqinjë autoktonë.

Në gatimet tradicionale, si vend në zemër të Labërisë, mishi i hellit ose i pjekur në furrë, zë vendin e parë në tavolinë. Sipas traditës baritore, atë ta servirin në copa të mëdha dhe me shenja: mikut kryesor i vihet bishti i deles, qengjit apo kecit; të dytit, koka; të tretit, shpatulla, e kështu me radhë, si shenjë hierarkie dhe rëndësie të mikut. Veç mishit, këtu lëshohet kukureci me të brendshmet e bagëtisë, i pjekur në hell ose në prush, dhe harapashi që bëhet me miell misëri, gjalpë dhe zorrë qengji ose keci.

Organizimi i një guide për qytetin Memaliaj

Nëse planifikoni të vizitoni jugun e Shqipërisë, një nga ndalesat duhet të jetë qyteti Memaliaj. Memaliaj ka shumë për të ofruar; Ka një trashëgimi të larmishme natyrore, historike dhe kulturore. Turizmi industrial dhe turet komuniste, janë opsione për shumë turistë që duan të mësojnë më shumë për gjurmët që la komunizmi në Shqipëri. Qyteti ruan ende ndërtesat tipike të epokës komuniste, objektet e minierës së qymyrit dhe monumentet përkatëse.

Si mund të arrini atje?

Aeroporti më i afërt është Aeroporti Nënë Tereza në Rinas, Tiranë. Fluturimet mund të mos jenë direkte, por mund të mbërrini me tranzit në aeroportet e vendeve fqinje si Maqedonia, Serbia, Kosova apo Mali i Zi. Mund të arrihet edhe nga vendi helen i Greqisë ose nga jugu i Italisë me tragete që mbërrijnë në portet e Shqipërisë, si në Durrës, Vlorë, Sarandë. Mund të arrihet me rrugë tokësore edhe nga vendet fqinje. Distanca nga Tirana, kryeqyteti, në Tepelenë është 196 km ose 2 orë 43 min.

Nëse udhëtoni përgjatë autostradës nacionale Tiranë-Tepelenë, ne hyrje te saj do të vini re një qytet gri me ndërtesa 5-katëshe, shumica e tyre janë të braktisura dhe aty do të shihni se si kanë qenë qytetet monofunksionale të asaj periudhe. Nëse ecni në qendër të qytetit, do të habiteni nga bardhësia që është shumë ndryshe nga pjesa tjetër e qytetit.

Nëse hyni në qendër të qytetit, mund të vizitoni kinemanë staliniste, me arkitekturë të ashpër, të rindërtuar më vonë. Pranë kinemasë ndodhet shtatorja e minatorit, simbol i qytetit të Memaliajt. Aty mund të shihni ndërtesa tipike të stilit socialist, mund të vizitoni bare të bukura dhe aty mund të gjeni gjithçka që dëshironi. Dhe më e mira nga të gjitha, do t’i gjeni me një çmim shumë më të lirë se në metropol. Buzëqeshja këtu nuk është e shtirur si në metropolet që e bëjnë për të paguar, por është e sinqertë dhe e vërtetë. Nëse hyni dy herë në të njëjtin lokal, herën e tretë i keni shpenzimet e paguara nga pronari i lokalit. Është një normë tregtare, sociale dhe shpirtërore.

Më poshtë pjesa e parë e reportazhit për Memaliajn:

Historia dhe arsyet pse duhet vizituar qyteti Memaliaj