Nga Jane Draycott – The Conversation
Nuk mund të kishte qenë një moment më i mirë sesa ky. Egjiptologët që po kremtojnë 100-vjetorin e zbulimit të varrit të faraonit Tutankhamun, janë tani në prag të një zbulimi të ri arkeologjik premtues që duket se ka ndodhur në Egjipt.
Disa arkeologë kanë njoftuar ditët e fundit se kanë zbuluar një tunel nën tempullin Taposiris Magna, në perëndim të qytetit antik të Aleksandrisë, që sipas tyre mund të çojë tek varri i mbretëreshës së famshme Kleopatra. Nëse kjo do të jetë e vërtetë, mbetet për t’u parë.
Por një zbulim i tillë do të ishte shumë i rëndësishëm dhe potencialisht do të rishkruante atë që dimë mbi mbretëreshën më të famshme të Egjiptit. Sipas shkrimtarit të lashtë grek Plutark, që shkroi një biografi mbi bashkëshortin e saj, gjeneralin romak Mark Antoni, dhe që është autor i rrëfimit më të gjatë dhe më të detajuar të ditëve të fundit të mbretërimit të Kleopatrës, si Antoni ashtu edhe Kleopatra u varrosën brenda mauzoleumit të Kleopatrës.
Sipas Plutarkut, ditën që Augusti dhe trupat e tij pushtuan Egjiptin dhe Aleksandrinë, Antoni vrau veten duke u hedhur mbi shpatën e tij, vdiq në krahët e Kleopatrës, dhe më pas u varros në mauzole.
Dy javë më vonë, Kleopatra shkoi në mauzoleum për të bërë disa flijime për Zotat, dhe më pas vrau veten në një mënyrë që ende nuk dihet (një legjendë popullore është se ajo u kafshua nga një akrepat). Më pas edhe ajo u varros brenda mauzoleumit. Pak ditë më vonë romakët vranë edhe djalin e Antoni, Markus Antonius Antilus dhe atë të Kleopatrës, Ptolemeu XV Çezari (i njohur edhe Çezarion, Cezari i Vogël), dhe dy të rinjtë mund të jenë varrosur po në atë vend.
Në rast se mauzoleumi i Kleopatrës nuk është zhdukur nën ujërat e Mesdheut së bashku me pjesën më të madhe të qytetit helenistik të Aleksandrisë, dhe nëse do të gjendet një ditë, ky do të ishte një zbulim arkeologjik gati i paprecedentë.
Ndërsa varret e shumë sundimtarëve të famshëm historikë ekzistojnë ende – një shembull është mauzoleumi në Romë i Augustit, armikut të Antonit dhe Kleopatrës – ato janë grabitur apo humbur shekuj më parë. Një përjashtim i dukshëm është varri i Filipit II të Maqedonisë, babait të Aleksandrit të Madh, i zbuluar në Vergina në fundin e viteve 1970.
Varri u gjet i paprekur dhe kjo krijoi mundësinë e zhvillimit të dekadave kërkime shkencore, duke zgjeruar njohuritë tona mbi anëtarët e familjes mbretërore maqedonase dhe oborrin e tyre. E njëjta gjë do të ishte e vërtetë nëse do të zbulohej varri i Kleopatrës, dhe do të zbulohej i paprekur.
Sasia e informacionit të ri që mund të nxjerrin prej tij egjiptologët dhe arkeologët do të ishte e madhe. Njohuritë tona të deritanishme mbi Kleopatrën dhe mbretërimin e saj vijnë nga burimet letrare të lashta greke dhe romake, të shkruara pas vdekjes së saj, dhe ato janë në thelb armiqësore ndaj mbretëreshës egjiptiane.
Ne nuk kemi shumë prova që të na ofrojnë këndvështrimin egjiptian mbi Kleopatrën. Por ajo që kemi, si relievet për nder të saj në tempujt që ajo ndërtoi, dhe përkushtimet nga nënshtetasit e saj, na japin një këndvështrim shumë të ndryshëm për të.
Deri më sot, nuk është gjetur asnjë varr tjetër i sundimtarëve ptolemeikë. Thuhet se ato ndodheshin që të gjithë në lagjen e pallateve të Aleksandrisë, dhe besohet se kanë përfunduar nën det, bashkë me pjesën tjetër të asaj pjese të qytetit. Vetëm arkitektura dhe përmbajtja materiale e varrit do t’i mbante historianët të angazhuar për dekada, dhe do të siguronte sasi të paprecedenta informacioni rreth kultit mbretëror Ptolemaik, dhe shkrirjes së kulturës maqedonase dhe egjiptiane.
Por nëse aty do të jenë edhe eshtrat e Kleopatrës, ato mund të na tregonin shumë më tepër, përfshirë shkakun e vdekjes së saj, pamjen e saj fizike, dhe madje do t’i përgjigjeshin çështjes së mprehtë mbi racën e saj. Por a duhet të shpresojmë se mund të gjejmë eshtrat e Kleopatrës dhe t’i analizojmë ato?
Nga Tutankhamuni dhe deri tek egjiptianët e lashtë të zakonshëm, mumiet e të cilëve janë zbuluar përgjatë shekujve, ka pasur një histori të gjatë keq–menaxhimi dhe keqtrajtimi. Ndërsa kanë ikur kohët kur mumiet hapeshin si një formë argëtimi në darkat e epokës viktoriane në shekullin XIX, ka gjithnjë e më shumë shqetësime nga ekspertët në lidhje me trajtimin e duhur të paraardhësve tanë.
Ndërsa zbulimi i varrit të Kleopatrës do të ishte i paçmuar për egjiptologët dhe studiuesit e tjerë, a është e drejtë t’i mohohet mbretëreshës mundësia për paqe dhe intimitet në vdekje, të cilat ajo nuk i pati në jetë?