Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare që në orën 10:00. Seanca plenare është shoqëruar me debate të forta që në nisje mes ministres së Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimajt dhe deputetes së PD-së, Jorida Tabaku.
Në debat u përfshinë dhe deputeti demokrat Gazment Bardhi dhe Ministrja për Parlamentin, Elisa Spiropali.
Pas fjalës së deputetes Jorida Tabaku, e cila përmendi termin “inflacion socialist” ka replikuar ministrja Ibrahimaj e cila ka thënë se “të shpikësh inflacionin socialist nuk është parë dhe as dëgjuar”, teksa ka shtuar se “inflacioni është i Putinit dhe jo i socialistëve”.
Delina Ibrahimaj: Të shpikësh inflacionin socialist, kjo nuk është parë dhe dëgjuar, u desh që të ngrihej zëri i opozitës që inflacioni i Putinit të quhej si inflacioni socialist. Në cilën botë jetoni ju dhe cilin realitet i servirni shqiptarëve? Inflacioni është i Putinit, nuk është i socialistëve dhe nuk është i Shqipërisë. Të dyja rishikimet e buxhetit kanë qenë me qëllim mbrojtjen e shtresave në nevojë. Bardhi mos fol nga vendi sepse nuk të shkon.
U desh këtu të ngrihej “opozita e vulës” dhe të flasë për ecurinë e ekonomisë kur shifrat tregojë se ne kemi një rritje të konsumit. Do të vazhdojmë të kemi rritje të konsumit dhe në pjesën e mbetur të vitit. Shifrat flasin vetë. Ju jeni mësuar të flisni nga vendi dhe të flisni nën zë. Buxheti i këtij viti bën mirëadministrimin e parave publike. Dilni këtu dhe flisni se çfarë është dhe si mund të bëhet më mirë. Ju jeni zi dhe shihni vetëm terr dhe zi.
Gazment Bardhi: Trego kush të ka dhënë shtëpi, e kujt është shtëpia ku jeton?
Jorida Tabaku: Unë nuk ulem dot në nivelin e mjeruar të ministres. Të të vijë turp ty që ke ardhur nga rruga dhe je bërë ministre dhe të më vijë turp mua? Dëgjo se mëson. Sot realiteti që jetojnë familjet shqiptare është fatkeqësisht ky. Të ardhurat në buxhetin e shtetit kanë ardhur 50 për qind. Sot familjet shqiptare kanë 32 për qind të ardhurave të tyre krahasuar me BE. Sot ministrja është e paaftë të flasë për qytetarët. Sot ministrja është aq e paaftë të flasë për qytetarët, 12 muaj ka ndenjur pa asgjë. Paaftësia dhe korrupsioni tek ministrja reflektohen më së miri, por kjo nuk është arsyeja për t’u krekosur në mikrofon. Askush nuk e ka arrogancën tënde, paaftësinë tënde dhe korrupsionin tënd.
Pastaj ka ndërhyrë ministrja Spiropali e cila ka paralajmëruar që askush të mos guxojë që të flasë nga vendi dhe të hedhë baltë dhe akuza që nuk kanë lidhje me të vërtetën.
Elisa Spiropali: Nuk keni gjë pa thënë në këtë foltore për turpin tonë. Dje pamë një skenë të shëmtuar që na turpëron të gjithëve dhe të mos lini një ministre të flasë nga vendi duke i bërë akuza penale nga vendi dhe Tabaku shkoi dhe më larg dhe shumë më larg dhe ministrja e financave nuk ka ardhur nga rruga, ka ardhur nga studimet në Bokoni, me nderimet më të larta. Të mos guxojë askush nga vendi të lëshojë jo vetëm baltë, por edhe akuza që nuk kanë lidhje me të vërtetën, por me përbaltjen. Të mos guxojë asnjë grup deputetësh të ngrihen në këmbë dhe të pengojnë ministra apo deputetë të thonë të vërtetat e tyre. Nuk iu jep të drejtën të pengojnë ministrat të shprehen. “Të gjithë hajdutë, të gjithë kriminelë”, nëse kjo nuk është e dënueshme nga rregullorja, nuk e di se çfarë është. Ju lutem kini respekt kur grupi ynë parlamentar përgjigjet. Mos na e merrni sjelljen tonë për dobësi.
Gazment Bardhi: Nuk po bëj akuzë penale, por askush nuk ka të drejtë t’i drejtohet “kjo përfaqësuesja e opozitës së vulës”, varfëria në argumente, në përgjigje nuk i jep askujt të drejtë të na vendosë epitetet. Spiropali tërhiqi mbrapsht ato “mos guxoni”, ne nuk kërcënohemi nga ju. Ajo që unë po pyes ministren, ku në cilën shtëpi jeton. Pronari ku jeton është një nga oligarkët që paguhet me paratë e buxhetit të shtetit.
Delina Ibrahimaj: Unë kaloj në rrugën “Rexhep Jella” ku kam jetuar që prej vitit 2009. Shtëpia është e Përparim Ibrahimaj, i cili është babai i bashkëshortit tim. Ju lutem spiunët tuaj sillini me mua të më shoqërojnë, sot, nesër, pasnesër sepse ajo është shtëpia ku unë kam shumë vite që jetoj. Ju dini të shpifni dhe vetëm të shifni zi dhe vrer.
Jorida Tabaku: Në këtë Parlament, kur jepen fakte sigurisht që përballesh me sulme dhe ajo që bëri ministrja e parlamentit, kjo është puna kur deklaron zyrat e propagandës. Për mua, kjo politika e urrejtjes nuk shkon për asnjë nga kahet. Nëse është dikush i kënaqur për debatin që ndodh në PD, janë ato që janë atje.