Mjeku i shquar Ilir Ohri është ndarë nga jeta këtë të enjte. Ohri është një prej figurave më të shquara të shërbimit të anestezi-reanimacionit dhe të mjekësisë shqiptare.
Ai ka dhënë prej më shumë se 40 vitesh një kontribut të veçantë dhe të jashtëzakonshëm në zhvillimin e këtij shërbimi në vendin tonë. Ohri ishte një nga themeluesit e shërbimit modern të anestezi-reanimacionit dhe drejtues i tij prej 30 vitesh.
Prof. Ilir Ohri ka lënë gjurmën e tij në ngritjen, funksionimin dhe perfeksionimin e të gjitha njësive të reanimacionit në Tiranë e në mbarë vendin. Ai bën pjesë në bërthamën e shkëlqyer të mjekëve, që themeluan Shkollën e Anestezi-Reanimacionit që në gjysmën e parë të viteve ’80.
Ai i ka ndarë pa kursim dijet e tij të gjera ndër vite, me qindra mjekë anestezistë, të cilët i janë mirënjohës dhe janë krenarë, që kanë qenë nxënës të tij.
Një nga kulmet e veprimtarisë së Prof. Ohrit në fushën akademike është edhe krijimi i Shkollës së Anestezi-Reanimacionit në Republikën e Kosovës dhe përgatitja e një plejade specialistësh të fushës atje. Gjithashtu, ai ka udhëhequr mjaft doktoratura në Universitetin e Prishtinës.
Veprimtaria shkencore e Prof. Ohrit është e gjerë, cilësore dhe e larmishme. Ajo pasqyrohet jo vetëm në aplikimin klinik të të rejave bashkëkohore të fushës, por edhe në artikujt e referimet e shumtë në shtypin shkencor kombëtar e ndërkombëtar.
Ai ishte një nga themeluesit e Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit dhe një nga drejtuesit aktivë të saj. Gjatë gjithë jetës profesionale Prof. Ilir Ohri është karakterizuar nga puna e pakursyer në shërbim të të sëmurëve më të rëndë, nga ndershmëria e lartë, nga profesionalizmi i rrallë, nga integriteti solid dhe nga personaliteti i palëkundur.