Salt Bae është ndaluar të marrë pjesë finalen e US Open Cup në Amerikë, për shkak të sjelljes së tij në finalen e Kampionatit Botëror 2022. US Open Cup deklaroi në Twitter se e kanë ndaluar kuzhinierin e famshëm që të jetë prezent në ngjarjen e tyre.
Mbi 135 mijë persona duartrokitën brenda një ore këtë vendim me disa skuadra nga liga MLS.
Në të njëjtën kohë, shefi i famshëm i kuzhinës vazhdon të fshikullohet pa mëshirë nga miliona përdorues në rrjetet sociale, ndërsa në shënjestër bashkë me të është dhe shefi i madh i FIFA-s, Gianni Infantino.
Sipas Daily Mail, ishte miqësia shumë e ngushtë e Nusretit me presidentin e FIFA-s që i siguroi atij një leje për të hyrë në fushë.
Kuzhinieri, emri i vërtetë i të cilit është Nusret Gokce, u kritikua për veprimet e tij pas finales së Kampionatit Botëror në Katar, ku u pa duke dalë në fushë për t’iu afruar Lionel Messit dhe duke thyer rregullat, pasi mbajti në dorë trofeun e Botërorit.
Ai u fotografua me trofeun e Kampionatit Botëror dhe bëri fotografi me disa nga yjet e Argjentinës.
Si një nga simbolet sportive më të njohura në botë dhe një ikonë e paçmuar, trofeu origjinal i Kupës së Botës FIFA mund të preket dhe mbahet vetëm nga një grup shumë i përzgjedhur njerëzish, ku përfshihen ish-fituesit e Kupës së Botës FIFA dhe krerët e shteteve.
Ndërkaq, duhet ta mendosh disa herë para se të darkosh në restorantin e kuzhinierit të famshëm turk Nusret. Disa klientë të restorantit të tij në Abu Dhabi së fundmi kanë postuar në rrjetet sociale faturën prej 160.000 euro dhe komentet nuk kishin të ndalur.